UP-ja organizon garë për futjen në librin e rekordeve “Guinness”

Administrator Administrator 10 April 2019 Archived

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me zhonglerin Agim Agushi, mbajti konferencë për media, për të paralajmëruar organizimin e garës së radhës për futjen në librin e rekordeve “Guinness”.

Gara planifikohet të mbahet më datën 10 maj 2019, në hapësirat e kampusit të UP-së.

Mediave të pranishme iu drejtuan prorektori për mësim dhe çështje për studentë, prof. dr. Hysen Bytyqi, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, prof. asoc. dr. Musa Selimi, si dhe zhongleri Agim Agushi.

Prorektori Bytyqi theksoi se UP-ja është e përkushtuar që përveç ndërkombëtarizimit në aspektin shkencor, të depërtojë në arenën ndërkombëtare edhe për aktivitete sportive dhe rekreative.
“UP-ja, i prirë nga rektori Dema, ka mbështetur këtë iniciativë për faktin se universiteti ynë synon të ngritë vetëdijen dhe të shërbejë sa më shumë për komunitetin. Ne po ashtu konsiderojmë që një ngjarje e tillë do të shërbejë si frymëzim për studentët dhe profesorët tanë,” tha prorektori Bytyqi. Ai, në emër të rektorit, e falënderoi z. Agushi që ka zgjedhur të bashkëpunojë me UP-në për realizimin e garës për thyerjen e këtij rekordi.

Në anën tjetër, dekani Selimi ka thënë se janë ndierë të obliguar që një ish-studenti t’ia ofrojnë mbajtjen e një gare të tillë nën organizimin e fakultetit. Ai tutje tregoi për detajet e këtij organizimi, ku do të bëhet sfidimi i rekordit të ri në pasimin e topit me kokë në çift.

Ndërkaq, zhongleri Agim Agushi tha se këtë herë do të sfidohet rekordi i tij i fundit në disiplinën e pasimit në çift, rekord i cili aktualisht është 30 minuta e 11 sekonda. Agushi e falënderoi UP-në, në veçanti rektorin Dema, për gatishmërinë e shprehur për mbështetjen e këtij organizimi.

Agim Agushi aktualisht ka pesë rekorde të shënuara në librin e rekordeve “Guinness” për goditjen e topit me kokë në pesë pozita të ndryshme.