UP-ja nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Fondacionin IPKO

UP-ja nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me Fondacionin IPKO

Administrator Administrator 7 December 2018 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, nënshkroi sot Marrëveshje Bashkëpunimi me drejtoreshën e programit të Fondacionit IPKO (IF), znj. Abetare Gojani.

Qëllimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është fuqizimi i studentëve në edukimin praktik dhe joformal në UP.

Rektori Dema u shpreh i lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi. Ai i informoi përfaqësuesit nga IF-ja lidhur me punën që është duke bërë UP-ja në ndërlidhjen e studimeve me tregun e punës, ku theksoi se Universiteti i Prishtinës ka krijuar në strukturat e tij shumë qendra dhe
zyre, të cilat, me punën e tyre, po i shërbejnë këtij objektivi.

Memorandumi parasheh angazhimin e studentëve në aktivitete të përbashkëta, përdorimin e qendrave të karrierës, departamenteve të ndryshme, inkubatorët dhe qendrat studentore për të realizuar kështu shkëmbime reciprokisht të dobishme.


Një ndër bashkëpunimet më të afërta ndërmjet UP-së dhe IF-së do të jetë edhe projekti “KosLift”, i cili do të mbështesë deri në 1000 studentë dhe 60 biznese kosovare në sektorët e energjisë, TIK dhe prodhimit me aftësitë e nevojshme dhe kapacitete për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në sektorin e biznesit në Kosovë dhe rajon.

Detajet për eventin i gjeni në linkun në vijim: https://goo.gl/wJ22Ko