UP-ja nënshkruan memorandum bashkëpunimi me IBCM-në

Administrator Administrator 26 November 2019 Archived

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (International Business College Mitrovica – IBCM).

Me anë të këtij memorandumi, UP-ja dhe IBCM-ja do ta zhvillojnë bashkëpunimin në shkëmbim të stafit dhe studentëve, hulumtime shkencore, mentorim të përbashkët, pjesëmarrje në projekte të përbashkëta në kuadër të programeve të Bashkimit Evropian, si dhe të tjera forma të bashkëpunimit.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, dhe znj. Mihone Kerolli – Mustafa, drejtoreshë e IBCM-së.

Rektori Dema u shpreh i lumtur për arritjen e zyrtarizimit të këtij bashkëpunimi, ku edhe theksoi që UP-ja, për herë të parë, nënshkruan memorandum bashkëpunimi me kolegj universitar vendor.
Qëllimi i këtij memorandumi është që të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, meqë deri më tani institucionet tona kanë pasur bashkëpunim në kuadër të projekteve të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore. Të gjitha këto do t’i shërbejnë ngritjes së cilësisë së studimeve, hulumtimeve dhe cilësisë së konkurrimit në projekte të ndryshme shkencore,” theksoi Dema.

Në anën tjetër, znj. Kerolli-Mustafa e falënderoi UP-në për mundësinë e dhënë që jashtë projekteve, ku janë të përfshirë bashkërisht, të ketë edhe mundësi të tjera të bashkëpunimit.
“Me anë të këtij memorandumi, synojmë të kontribuojmë me cilësitë tona në avancimin dhe reformat e reja në arsimin e lartë, të cilat fillojnë këtu, pra në Universitetin e Prishtinës,” tha znj. Kerolli–Mustafa.

Memorandumi, që ka hyrë sot në fuqi, është i vlefshëm për gjashtë vjet, me mundësi të ripërtëritjes.