UP-ja nënshkruan marrëveshje për fuqizimin e vajzave dhe grave në lidership

Administrator Administrator 9 June 2020 Archived

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Forumin për Udhëheqje dhe Diplomaci, me anë të së cilit do t’u ofrohen mundësi të zhvillimit profesional studenteve të UP-së, përmes praktikës dhe trajnimeve mbi lidershipin.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se projekti do të mundësojë të plotësohet boshllëku i grave lidere si dhe do ta fuqizojë Qendrën për Zhvillimin e Karrierës.
“Të gjithë e dimë se bota ka mungesë të madhe të lidershipit, në veçanti Kosova, por në kuadër të saj na mungojnë gratë lidere, prandaj unë mendoj se ky projekt do të ndihmojë në plotësimin e këtij boshllëku,” theksoi Dema, i cili u shpreh i lumtur për realizimin e këtij bashkëpunimi.

Ne anën tjetër, drejtoresha e Forumit për Udhëheqje dhe Diplomaci, znj. Njomza Emini, tha se studenteve u ka munguar hapësira e nevojshme për të qenë pjesë të lidershipit.
“Për mua është nder që në emër të Forumit dhe në emër të grave dhe vajzave lidere po e fillojmë me ju Rektor, sepse kemi zhvilluar disa takime, për realizimin e të cilave ju falënderoj,” theksoi znj. Emini.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Forumit në disa fusha, për të ndihmuar studentet në zhvillimin e karrierës së tyre profesionale, në kuadër të projektit “Akademia e udhëheqjes - Fuqizimi i grave dhe vajzave për proceset e vendimmarrjes”.

Pikat e veçanta në të cilat memorandumi parasheh bashkëpunim përfshijnë: punën praktike profesionale me pagesë për vajza dhe gra, ofrimin e trajnimeve mbi lidershipin për studentet e të gjitha njësive akademike të Universitetit të Prishtinës, ofrimin e prezantimeve mbi mundësitë që ofrojnë për studentet në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Karrierës të UP-së, si dhe pjesëmarrje në debatet publike të organizuara nga Forumi.