UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Telekomin e Kosovës

Administrator Administrator 28 February 2019 Archived

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Telekomi i Kosovës kanë nënshkruar sot marrëveshje të bashkëpunimit për ofrimin e shërbimeve telekomunikuese për UP-në. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, UP-ja do të përfitojë nga Telekomi i Kosovës zbritje prej 20% në shërbimet e telefonisë fikse dhe mobile.

Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, u shpreh i lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi, nga i cili do të përfitojë shërbime stafi i universitetit. Ai tha që UP-ja, me partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, ka arritur të avancojë tutje në dhënien e shërbimeve të tij dhe në përmirësim të kushteve për staf dhe studentë.

Në anën tjetër, drejtori i shitjes i Telekomit të Kosovës, z. Demir Limaj, tha që është kënaqësi të bashkëpunosh dhe t’i ofrosh shërbime tempullit të dijes. Ai njëherësh e përgëzoi rektorin Dema për punën e bërë në Universitetin e Prishtinës viteve të fundit.

Përveç zbritjes së shërbimeve për telefoninë fikse dhe mobile në vlerë prej 20 %, me anë të kësaj marrëveshjeje, UP-ja ka përfituar edhe shërbime dhe produkte të tjera falas nga Telekomi i Kosovës.