UP-ja implementon projektin për përgatitjen e mësimdhënësve të orientuar drejt cilësisë
Mësimdhënësit e rinj do të kenë edhe një mundësi që të ngritën profesionalisht, falë lansimit të projektit “Drejt përgatitjes së mёsimdhёnёsve tё rinj, pёrmes njё sistemi tё orientuar nё cilёsi, me qёllim tё ngritjes sё profesionalizmit tё mёsimdhёnёsve nё Kosovё” (QATEK) nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Si përfaqësues i universitetit grantmbajtës, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, tha se është shumë i lumtur që në kuadër të këtij projekti do të bashkëpunojnë me universitete prestigjioze partnere.
“Ky projekt, me aktivitetet e tij, analizat që do t’i bëjë, si dhe planet që do t’i hartojë, urojmë që të jetë një nismë e mbarë drejt përmirësimit të cilësisë dhe ngritjes se profesionalizmit të mësimdhënësve në Kosovë. UP-ja në kuadër të tij ka Fakultetin e Edukimit, i cili përgatit pjesën dërrmuese të mësimdhënësve të këtij vendi, andaj shpresojmë shumë që ky projekt të ndihmojë UP-në dhe të tjerat universitete vendore drejt ngritjes së cilësisë në këtë drejtim”, tha rektori Dema.
Koordinatori i këtij projekti, prof. ass. Blerim Saqipi, tha së me këtë projekt do të shmanget ndërrimi i shpeshtë i kurikulave dhe do të rritet cilësia në arsim.
Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, z. Xhavit Rexhaj, tha se këtë projekt ai e sheh si zgjidhje të disa sfidave dhe në forcimin e sukseseve që ka arritur Fakulteti i Edukimit.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. as. dr. Ethem Çeku, tha se ministria si dhe të gjitha njësitë akademike të universitetit duhet të bashkëpunojnë mes vete në mënyrë që të arrijnë të nxjerrin një mësues të shekullit XXI.
Stergios Tragoudas, nga zyra e BE-së, e cila e ka bashkëfinancuar këtë projekt, tha se QATEK-u synon përgatitjen e mësimdhënësve, mbledhjen e përshtypjeve nga studentët si dhe zhvillimin e profesionalizmit të mësimdhënies.
Ky projekt është njëri ndër projektet e shumta, të bashkëfinancuara nga programi Erasmus+ i Bashkimit Evropian, ku për vitin 2019 UP-ja ka qenë përfituesi më i madh në nivel vendi i projekteve në kuadër të këtij programi.