UP-ja i trajnon për shkathtësi të buta dhe qasje në treg të punës fëmijët e SOS Fshatrave të Kosovës

UP-ja i trajnon për shkathtësi të buta dhe qasje në treg të punës fëmijët e SOS Fshatrave të Kosovës

Administrator Administrator 28 February 2019 Archived

Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka ofruar trajnime për fëmijët e SOS Fshatrave të Kosovës për qasje në tregun e punës. Trajnimi ka konsistuar me module për zhvillimin e shkathtësive të buta, për përgatitje të CV-së dhe letrës motivuese, përgatitje për intervistë të punës, analizë SWOT dhe TOWS dhe të tjera fusha që lidhen me qasjen e të rinjve në tregun e punës.

Fëmijët dhe të rinjtë e trajnuar i ka pritur në takim rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, të cilët i ka uruar për finalizimin me sukses të këtij trajnimi. Ai tha që për UP-në shërbimi ndaj komunitetit është një objektiv shumë i rëndësishëm.
“Universiteti ynë është shumë i interesuar që, përveç shërbimit parësor për studentë, të ofrojë shërbime edhe për komunitetin. Ne në vazhdimësi kemi promovuar punën vullnetare, ku studentët tanë kanë shërbyer në institucionin tonë dhe, përmes institucionit tonë, në organizata të tjera. Ndërkaq, tani, stafi ynë ka shërbyer për ju, që për ne është një kënaqësi shumë e madhe,” tha Dema në këtë takim.

Në anën tjetër, znj. Nezahat Ramadani-Salihu, drejtoreshë nacionale në SOS Fshatrat e Kosovës, e falënderoi UP-në për bashkëpunimin dhe shërbimin që u ka ofruar fëmijëve të këtyre fshatrave. Ajo i përgëzoi fëmijët dhe të rinjtë për përfundimin e këtij trajnimi shumë të dobishëm për të ardhmen e tyre.

Trajnimi për fëmijët e SOS Fshatrave të Kosovës është mundësuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës. Gjatë këtij trajnimi janë shtjelluar në aspektin praktik çështjet që ndërlidhen me procesin, qasjen në tregun e punës, shkathtësitë e lidershipit dhe aftësitë negociuese. Po ashtu, trajnimi ka ofruar module informimi edhe për shkathtësitë e komunikimit, llojet e komunikimit, veçoritë, njohjen e elementeve që përdorën në komunikim dhe shkathtësitë e prezantimit, kriteret e prezantimit, planin e prezantimit, e të tjera.