UP-ja i certifikon studentët që përfunduan praktikën në QZHK
Lundrim Sadiku, student në Fakultetin e Filologjisë, është njëri nga praktikantët që ka përfunduar praktikën në Qendrën për Zhvillim të Karrierës të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, praktikë e cila thotë të ketë ndikuar pozitivisht në formimin e tij.
“Jam shumë i lumtur që përmes kësaj praktike më është ofruar mundësia për t’u aftësuar me shkathtësi të reja. Kam përfituar shkathtësi praktike në shkrimin e artikujve, në organizimin e eventeve e shumë shkathtësi të reja dhe mendoj që kjo praktikë do të më ndihmojë në të ardhmen”, potencoi Lundrimi.
Ndërkaq, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, teksa i uroi studentët për certifikimin, i porositi ata që njohuritë e marra nga kjo praktikë t’i shfrytëzojnë në profesionet e tyre.
“Ideja e kësaj skeme të praktikës ka qenë që të bëhet një urë lidhëse ndërmjet universitetit si dhe punës praktike. Andaj, hapat e vegjël ju dërgojnë drejt atyre të mëdhenj. Prandaj, uroj që kjo praktikë t’ju shërbejë si busull orientuese në karrierën tuaj”, tha rektori.
Tetë praktikantët e certifikuar sot kanë zhvilluar tre muaj praktikë në Qendrën për Zhvillim të Karrierës në UP.