UP-ja dhe Rotary International organizojnë seminar për problemet e sëmundjes se malaries dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me mushkonjat

Administrator Administrator 11 April 2019 Archived

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Rotary International, ka organizuar seminarin ndërkombëtar me temën “Problemet e neglizhuara të malaries dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me mushkonjat”.

Në hapjen e këtij seminari, të pranishmëve iu drejtua, me fjalë rasti, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili falënderoi organizatorët e kësaj konference që kanë bërë të mundur që në kampusin e UP-së të zhvillohet një aktivitet i tillë.
“UP-ja, qysh në hedhjen e idesë së parë, i është bashkëngjitur iniciativës së organizimit të këtij seminari, i cili konsideroj që prek një temë të rëndësishme për komunitetin dhe të patrajtuar mjaftueshëm deri tani nga studiuesit në shoqërinë tonë”, ka thënë Dema.

Dema foli edhe për rëndësinë e përzgjedhjes së studentëve për të qenë pjesëmarrës të këtij seminari, duke konsideruar që ata paraqesin pikërisht audiencën më të nevojshme, e cila në të ardhmen do të mund të kontribuonte në reduktimin e këtij problemi në shoqëri.

Për rëndësinë e tematikës së këtij seminari folën edhe personalitete të rëndësishme të rotarisë nga vendi, rajoni dhe bota, si z. Murat Celyk, dr. Wolfgang Uebel, z. Ilir Krasniqi, e të tjerë.

Ky seminar me interes akademik dhe shoqëror, i cili do të zgjasë për katër ditë me radhë, ka mbledhur ekspertë dhe studentë nga Kosova, Gjermania, Turqia dhe Greqia, për të diskutuar në lidhje me  problemet e sëmundjes së malaries dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me mushkonjat.