UP-ja dhe Ministria e Inovacionit nënshkruajnë memorandum për financimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP

Administrator Administrator 17 October 2018 Archived

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot, u bë nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për financimin e projektit “Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP”.

Nënshkrimi i memorandumit u bë nga rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, z. Besim Beqaj. Nga Universiteti i Prishtinës, të pranishëm në këtë takim ishin edhe prorektorja për buxhet dhe financa në UP, prof. dr. Myrvete Badivuku-Pantina, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. dr. Dashamir Berxulli, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. sc. Ahmet Shala, sekretari gjeneral i UP-së, z. Esat Kelmendi, prodekanët e FIM-së, prof. dr. Ilir Doçi dhe prof. dr. Shpejtim Lajçi, si dhe senatori Ramë Likaj.

Rektori Dema u shpreh i lumtur për arritjen e realizimit të këtij bashkëpunimi. Ai tha se UP-ja është shumë e interesuar që në radhën e studentëve të bëhet transformimi nga studenti, i cili deri tani ka qenë i orientuar nga teoria, në një student praktik, të orientuar nga ekonomia, tregu dhe inovacioni.
“Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të ofrojë këshillime dhe trajnime, të cilat synojnë lidhjen e njohurive të studentëve tanë me tregun dhe ekonominë. Realizimi i qendrës shënon një hap tutje në funksion të objektivave që kemi si menaxhment për realizimin e reformave në këtë universitet, duke synuar lidhjen e studimeve me industrinë dhe tregun e punës, ku produkt i tërë kësaj do të jetë studenti inovativ dhe kreativ,” tha Dema në fjalën e tij.
I lumtur me nënshkrimin e memorandumit u shpreh edhe ministri Beqaj. Ai e falënderoi rektorin Dema për gatishmërinë e shfaqur për bashkëpunim, teksa theksoi që është shumë i përkushtuar në lidhjen e arsimit me ekonominë. 

Ndërkaq, dekani i FIM-së, prof. dr. Ahmet Shala, u zotua që Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në kuadër të Fakultetit të cilin ai e menaxhon, do të jetë në shërbim të të gjithë studentëve të UP-së dhe të rinjve te Kosovës dhe do të kontribuojë në lidhjen e teorisë dhe praktikës.

Qëllimi i këtij memorandumi është financimi i projektit për renovimin e hapësirave të objektit të laboratorit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për nevojat e “Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në UP” në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike si dhe përcaktimi i obligimeve të MIN-së dhe universitetit për realizimin e projektit. Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë hapësirë e destinuar për studentët e UP-së, ndërmarrjet inovative në proces të parainkubimit dhe inkubimit dhe për të rinjtë e interesuar për përgatitje profesionale në fushën e inovacionit. Përveç kësaj, kjo qendër do të jetë në dispozicion edhe për inovatorë të tjerë individual, të cilët mund ta shfrytëzojnë, gjatë hulumtimeve të tyre, me ide inovative.