UP-ja dhe LIMAK-u nënshkruajnë memorandum për t’ua mundësuar studentëve punën praktike
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nënshkroi sot memorandum bashkëpunimi me Aeroportin Ndërkombëtar të Kosovës – LIMAK J.S.C., për organizimin e kurseve shtesë për studentët e UP-së me qëllim të rritjes së njohurive të studentëve në lëndët e menaxhimit të aeroportit.
Me anë të këtij memorandumi, 30 studentë nga fakultetet: Inxhinieri Elektrike, Makineri, Juridik, Ekonomi dhe FShMN do të kenë mundësi që të përgatiten për tregun e punës, program i cili ofron madje edhe mundësi punësimi.
E për arritjen e kësaj marrëveshjeje, rektori i UP-së, prof, dr. Marjan Dema, u shpreh i lumtur sepse, sipas tij, studentët njohuritë e tyre teorike do të mund t’i zbatojnë në praktikë.
“Kompania ka rastin që të ketë pjesë të saj studentët tanë, të cilët po shkëlqejnë gjithandej, qoftë në kompaninë LIMAK, qoftë në gara të ndryshme dhe kjo na motivon që të vazhdojmë t’u ofrojmë atyre arsim cilësor”, u shpreh Dema.
Si një ish-studente e UP-së, zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, znj. Valentina Gara, ka thënë se është krenare se çfarë kuadrosh dalin nga ky universitet dhe i bashkohen LIMAK-ut nëpërmjet këtij programi.
“Për katër gjenerata me radhë, e kemi marrë ajkën studentëve, shumica e të cilëve janë tashmë të punësuar në kompaninë tonë”, tha Gara.
Për mënyrën e përzgjedhjes së tyre, i pari i universitetit, rektori Dema, siguroi se ata do të zgjedhën në bazë të meritokracisë dhe gjithmonë duke respektuar kriteret.
Trajnimet për këta studentë do të mbahen nga Universiteti Bogizici në Turqi, Instituti ENAC dhe nga ekspertë të aeroportit, në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.
Nga ky projekt, për katër vjet, kanë dalë të diplomuar 120 studentë.