UP-ja certifikon studentët vullnetarë të panairit “Studio në Francë”

Administrator Administrator 24 September 2019 Archived

12 studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë certifikuar pasi vullnetarisht janë angazhuar në organizimin e Panairit të Edukimit “Studio në Francë”, i organizuar nga Qendra për Zhvillim të Karrierës në UP dhe Ambasada Franceze në Kosovë.

Në këtë ceremoni të ndarjes së certifikatave, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, i përgëzoi studentët për punën vullnetare.

“Uroj që këtë rrugëtim që e keni nisur, këta hapa t’i vazhdoni edhe më tutje dhe kudo që të jeni ta promovoni punën vullnetare, sepse kjo është mënyra më e mirë për t’u ndier mirë”, tha Dema.

Ndërsa, studentja Flaka Spaqi e falënderoi Universitetin e Prishtinës për mundësinë e dhënë për të qenë pjesë e universitetit, jo vetëm si studente por edhe si vullnetare.

“Uroj që të ketë më shumë studentë që angazhohen në punët vullnetare, sepse ata përfitojnë shumë përvoja dhe njohuri nga kjo punë”, tha ajo.

Këta studentë, vitin e kaluar, në edicionin e parë të këtij panairi, u angazhuan për të kontribuar në dizajnimin e materialeve, konceptimin e aktivitetit, informimin e studentëve, moderimin e ceremonisë së hapjes zyrtare dhe shumë aktivitete të tjera.  

UP-ja, gjatë muajve në vijim, do të organizojë edicionin e dytë të panairit “Studio në Francë”, ku universitetet dhe organizatat e tjera frankofone paraqesin para studentëve të UP-së mundësitë që ato i ofrojnë.