UP-ja bëhet më Institut për Hulumtime dhe Studime Juridike

Administrator Administrator 27 February 2020 Archived

Me një ceremoni solemne, Instituti për Hulumtime dhe Studime Juridike është përuruar sot në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

I pari i Universitetit, prof. dr. Marjan Dema uroi të pranishmit për themelimin e këtij instituti dhe tha se kjo iniciativë është vazhdimësi e iniciativave të Universitetit për intensifikimin e punës praktike në këtë institucion.
“Ky institut plotëson, së bashku me qendrat që veprojnë në këtë fakultet, plotëson mozaikun e hulumtimeve juridike, kërkimeve shkencore juridike dhe këshillimeve profesionale nga fusha juridike në Universitetin e Prishtinës”, tha rektori Dema.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit Juridik, prof. asoc. dr. Haxhi Gashi, tha se ky institut vjen në një përvjetor të rëndësishëm të UP-së, në 50 vjetorin e themelimit të tij.
“Kjo ngjarje ka edhe një simbolikë tjetër sepse në Universitetin e Prishtinës ky muaj shënon edhe 50 vjetorin e Universitetit dhe ky vit jubilar shënohet me një ngjarje që në fokus ka shkencën e hulumtimin dhe rritjen e cilësisë, por edhe bashkëpunimin me partnerët tanë”, tha dekani.

Krijimi i këtij instituti u mundësua falë bashkëpunimit të UP-së me UNDP-në, në emër të të cilit foli znj. Maria Suokko, e cila tha se organizata që përfaqëson është e gatshme për thellimin e bashkëpunimit me Institutin e përuruar.

Kurse, objektivat dhe qëllimin e Institutit e prezantoi prof. dr. Mirlinda Batalli, e cila do të drejtojë këtë institut.  

Në fund të kësaj ceremonie u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit në mes të UP-së dhe UNDP-së.