UP dhe Universiteti i Shkupit (UNT) lidhin Marrëveshje të Bashkëpunimit

Administrator Administrator 29 May 2018 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, i shoqëruar nga prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, prof. dr. Naser Sahiti, vizitoi Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. Gjatë kësaj vizite, rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema dhe rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, prof. dr. Aziz Pollozhani nënshkruan një Marrëveshje të Bashkëpunimit, e cila do të sjellë më afër stafet dhe studentët e të dy universiteteve duke hapur rrugët për…

Gjatë takimit, rektori Dema vlerësoi punën e bërë për ngritjen e Universitetit “Nëna Tereza”, i cili mban dhe emrin e shenjtores së madhe shqiptare, si dhe premtoi ndihmën dhe mbështetjen e UP-së për zhvillimin e tij të mëtejshëm.

Ne anën tjetër, rektori Pollozhani vlerësoi lartë Marrëveshjen e arritur, si dhe theksoi rolin që ka Universiteti i Prishtinës në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Ai kërkoi fuqizimin e këtij bashkëpunimi me rëndësi të veçantë për të dyja universitetet.

Kjo Marrëveshje e Bashkëpunimit mundëson shkëmbimet e stafeve akademike, shkëmbimin e përvojës, pjesëmarrjen në projekte ndërkombëtare, etj.

Gjatë kësaj vizite, rektorit Dema iu nda “Pllakata e Mirënjohjes” nga rektori i UNT-së, prof. dr. Aziz Pollozhani, për kontributin dhe mbështetjen e arsimit në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë dhe në veçanti për mbështetjen Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

Në agjendën e këtij takimi ishin edhe vizitat të Shtëpia Muze e Nënë Terezës si dhe tek përmendoret e rilindësve Pjetër Bogdani dhe Nexha Agolli, ku rektorët vendosën nga një buqetë me lule.