Universiteti i Prishtinës shënon 49-vjetorin e themelimit të tij
Me ceremoni solemne, sot Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina” shënoi 49 vjetorin e themelimit te tij.
Në këtë ceremoni madhështore morën pjesë përfaqësues qeveritarë, rektorë dhe zëvendës rektorë të universiteteve publike shqiptare, akademike, anëtarët e Këshillit Drejtues, dekanë dhe senatorë, pjesëtarë të stafit akademik dhe administrativ, si dhe përfaqësues të studentëve nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në këtë solemnitet u vlerësua lart roli i vital i Universitetit të Prishtinës në shtetformimin e Kosovës, qe nga themelimi i këtij institucioni ne vitin 1970, si dhe progresi i viteve të fundit.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. dr. Marjan Dema, ndër të tjera u shpreh që përvjetori i UP-së, çdo herë risjell ndjenja krenarie, nostalgjie dhe gëzimi, tek kushdo që ka qenë dhe është pjesë e historisë së Universitetit të Prishtinës. Gjithashtu, ai theksoi se historia e Universitetit të Prishtinës është vetë historia e Kosovës.
“Universiteti i Prishtinës, që nga themelimi, vazhdon të jetë zgjedhja e parë e studentëve të vendit tonë. Prej këtej, UP-ja ka bartur ndër vite barrën kryesore të edukimit dhe zhvillimit të shoqërisë kosovare” u shpreh rektori Dema në fjalën e tij.
Rektori Dema foli edhe për progresin që UP-ja ka shënuar viteve të fundit, duke konstatuar që ai është ngritur mbi vlerat themelore të arsimit të lartë, siç janë: integriteti, qasja e barabartë për të gjithë, përgjegjësia, llogaridhënia, liria akademike, transparenca dhe përgjegjësia sociale.
“Progresi i UP-së është evident. Gjatë këtij viti, qendrat dhe zyrat, që themeluam në më pak se gjysmë-dekadën e fundit, tejkaluan edhe vetë pritjet tona me progresin e bërë. Mësimdhënia, inovacioni dhe ndërkombëtarizimi janë kryefjalë tani më shumë se kurrë më parë në institucionin tone” theksoi rektori Dema.
Rektori Dema falënderoi të ftuarit, në veçanti rektorët e universiteteve publike shqiptare të pranishëm në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të 49-të të UP-së, partnerët, organet drejtuese, stafin akademik dhe administrativ, si dhe studentët e UP-së për kontributin e dhënë për universitetin.
49 vjetorin e themelimit të UP-së, e uroi edhe kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës, SH.T. Z. Kadri Veseli.
“Është bërë e zakonshme që universitetet të quhen tempuj të diturisë dhe shkencës, mirëpo Universiteti i Prishtinës, në historinë e tij, është më shumë se kaq. Që nga fillimet e tij, ai ishte tempull i vetëdijes sonë kombëtare. Sot UP-ja mbush 49 vjet, bëhen 20 vjet nga fitimi i lirisë dhe 11 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ky është bilanci i kontributit të Universitetit të Prishtinës në më pak se 5 dekada ekzistencë” deklaroi Veseli.
Ditën e Universitetit në këtë ceremoni e uruan edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Heset Sahiti, rektori i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, profesor Arben Gjata, në emër të rektorëve të Shqipërisë, si dhe në emër të rektorëve të Maqedonisë, profesor Vullnet Ameti, rektor i Universitetit të Tetovës. Gjithashtu, të pranishmëve iu drejtua me fjalë rasti edhe nënkryetari i Parlamentit Studentor, z. Melos Kolshi.
Universiteti i Prishtinës gjatë ceremonisë shpërbleu me mirënjohje edhe profesorët: Bajram Berisha, Fetah Podvorica, Gani Bajraktari dhe Lul Raka, për arritje të lartë akademike dhe kontribut të çmuar në ngritjen e Universitetit të Prishtinës në ranglista ndërkombëtare të vlerësimit të universiteteve.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës, më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës. Aktualisht, UP ka 42.006 studentë, mbi 1.000 pjesëtarë të stafit akademik dhe me afro 350 pjesëtarë të stafit administrativ, të shpërndarë në 13 njësi akademike.