Universiteti i Prishtinës inauguron Fakultetin e Arkitekturës

Administrator Administrator 1 October 2019 Archived

Sot, me ceremoni solemne, u inaugurua Fakulteti i Arkitekturës në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Inaugurimin e njësisë më të re akademike të UP-së e bëri rektori, prof. dr. Marjan Dema, i cili u shpreh shumë i lumtur për krijimin e Fakultetit të Arkitekturës, si njësi të veçantë.
“Në këtë ditë të veçante për arkitektët tanë, uroj në veçanti studentët e rinj të cilët sot kanë fatin të nisin studimet e tyre në një fakultet të ndarë, si dhe profesorët, të cilët dhanë kontribut të kamotshëm që kjo të bëhej realitet” theksoi Rektori Dema.

Të pranishmëve në këtë ceremoni zyrtare iu drejtua edhe dekani i Ndërtimtarisë, prof. dr. Abdullah Zejnullahu, i cili uroi kolegët për ketë ditë të rëndësishme.
“Ky fakultet, me kapacitetet aktuale që ka, por duke aspiruar në ngritjen e tyre në vazhdimësi, është një nismë e mirë për ju studentë të rinj, që patet fatin më të mirë se studentët e 41 gjeneratave paraprake” tha ndër të tjerash dekani Zejnullahu.
Ne këtë takim foli edhe ushtruesi i detyrës së dekanit të këtij Fakulteti, prof. dr. Fevzi Berisha. Profesori Berisha gjatë kësaj ceremonie pranoi edhe zyrtarisht vendimin e Senatit të UP-së, të kryesuar nga rektori Dema, për emërimin e tij në këtë pozicion.

Para studentëve dhe stafit të pranishëm, folën edhe prof. dr. Skënder Kabashi dhe prodekanja për çështje mësimore e FNA-së, dr. sc. Violeta Nushi, të cilët uruan themelimin e Fakultetit të Arkitekturës.

Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës është ngritur në themelet e Shkollës së Lartë Teknike në Prishtinë, më 20 tetor 1961, me drejtimin e Ndërtimtarisë, Elektroteknikës dhe Makinerisë.

Me 12 maj 1977 është hapur edhe Seksioni i Arkitekturës në kuadër të këtij departamenti. Ndërkaq, me date 10 qershor 2019, Senati i UP-së mori vendim që të miratohet propozimi i Këshillit të FNA-së për ndryshim të strukturës së brendshme dhe statusit të FNA-së, duke formuar kështu Fakultetin e Arkitekturës ndaras nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në UP.

UP tani numëron 14 njësi akademike, me afro 40 mijë studentë.