Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sjell bashkëpunimin ndërmjet tri fakulteteve shqiptare të arteve
Edhe këtë vit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” u organizua manifestimi tradicional “Ura me Tri Harqe” si rrjedhojë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet Fakultetit të Arteve të UP-së, Fakultetit të Arteve të Tiranës dhe Fakultetit të Arteve të Tetovës.
Gjatë këtij manifestimi u prezantuan të arriturat më të fundit të punës së mësimdhënësve me studentët, në të tri fushat e arteve: pamore, të muzikës dhe të dramës.
Pjesëmarrës në këtë manifestim ishte rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, përfaqësues nga të tri universitetet shqipfolëse si dhe artdashës të shumtë.
Programi i manifestimit “Ura me Tri Harqe” solli për të pranishmit ekspozitën me punimet e studentëve të pesë specializimeve të Departamentit të Arteve të Bukura si dhe punimet e studentëve nga Tirana dhe Tetova, koncertin në Sallën e Koncertale të Departamentit të Muzikës në UP si dhe u dhanë shfaqjet e filmave të studentëve në Sallën e Departamentit të Dramës.
Manifestimi tradicional “Ura me Tri Harqe” është një takim i përvjetshëm mes kolegëve, profesorëve dhe studentëve nga të tri qendrat kulturore shqiptare. Pas përmbylljes së aktiviteteve mandatore artistike të gjithë pjesëmarrësit vazhduan mbrëmjen e lirë artistike në Hotel Silver.