Universiteti i Prishtinës dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi, për shkëmbim të informacioneve ndërmjet dy institucioneve.
Arritja e kësaj marrëveshjeje, sipas rektorit të Universiteti të Prishtinës, prof. dr Marjan Dema, është hapi i radhës i orientimit të studentëve drejt tregut të punës.
“Ky është edhe një hap tjetër për transformimin e universitetit nga një universitet që ka qenë më tepër teorik në një universitet të orientuar kah biznesi dhe tregu i punës. Pikërisht në këtë bashkëpunim do të fokusohemi më tepër në shkëmbimin e informacioneve, sepse në si shoqëri duhet të orientohemi drejt informacionit”, tha rektori.
Ndërkaq, sipas drejtorit ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve, z. Astrit Panxha, ky bashkëpunim është një hap drejt përforcimit të shkathtësive të punës.
“Për ne është shumë me rëndësi që të bashkëpunojmë me Universitetin e Prishtinës sepse ne përfaqësojmë kompani prodhuese që janë boshti kryesor i ekonomisë së Kosovës. Kështu, ne synojmë që të krijojmë këtë lidhje në mes sektorit privat dhe atij akademik, në mënyrë që të kemi një tranzicion në shkathtësi të punës”, tha ai.
Me anë të këtij memorandumi, UP-ja dhe KPK-ja kanë zyrtarizuar bashkëpunimin në organizimin e aktiviteteve në fushat me interes reciprok, ku përfshihet bashkëpunim në fushën kërkimore, në aktivitete promovuese, e në veçanti në projektin e Festivalit të Gjelbër.
Memorandumi parasheh edhe organizim të punës praktike dhe mësimore për studentët e UP-së, në kompanitë anëtare të klubit. Vlen të përmendet që MoU-ja në fjalë synon rritjen e bashkëpunimit për informacione në lidhje me temat e diplomave apo të doktoraturave, ku studentët në bashkëpunim me anëtarët e Klubit do të kenë mundësi t’i identifikojnë nevojat për kërkime shkencore.
