TePema – startupi i studentëve të UP-së, fitues i akseleratorit të parë evropian të startupeve në Ballkanin Perëndimor

TePema – startupi i studentëve të UP-së, fitues i akseleratorit të parë evropian të startupeve në Ballkanin Perëndimor

Blerta Dibrani 19 January 2022 Archived

TePema, startupi i dizajnit të gjelbër, i cili jep zgjidhje të qëndrueshme të hapësirës ku jetojmë, u shpall fitues i çmimit prej 5 mijë eurosh të Uplift Western Balkans - akseleratori i parë evropian i startupeve në Ballkanin Perëndimor.

Uplift Western Balkans është nismë e VentureUP – inkubatorit të Universitetit të Prishtinës dhe organizatave të tjera si SOVVA, ICTSmedia, ICANN dhe SlovakAid.

Në këtë garë, 10 startupe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut iu bashkuan programit të akselerimit të Uplift Western Balkans për 4 muaj. Dhjetëra takime, trajnime, punëtori me ekspertë, profesionistë, investitorë dhe përfaqësues të komunitetit të startupeve nga rajoni dhe Evropa shoqëruan themeluesit e startupeve të Uplift Western Balkans.

Përpara momentit të Demo-Day, startupet për rreth 60 minuta, kanë pasur mundësinë të takohen me dhjetëra investitorë të ardhur enkas nga e gjithë bota. GoConf, DrejtShkruaj, Spyvio, Imortelle, ARMMA, ArchiGames, VR Drive, TePema, Envicon dhe Pinca prezantuan përballë jurisë produktet dhe misionet e tyre.

Finalja e edicionit të tretë u mbyll me akordimin e çmimeve për startupet më të mira.

TePema, fituesi i këtij edicioni, është startup, i krijuar nga studentët e UP-së, i cili ka për mision ngritjen e mirëqenies së njerëzve dhe planetit, si dhe planifikon zgjerimin gjeografik me lansimin e produkteve të reja, për të afirmuar vizionin e saj.

Uplift Western Balkans është një përpjekje mbi trevjeçare me misionin për të zhvilluar dhe demokratizuar ekosistemin e sipërmarrjes dhe startupeve në Ballkanin Perëndimor.