“TE Pema” e studentëve të UP-së
Studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të departamenteve Inxhinieri e Ambientit dhe Megatronikë, kanë realizuar projektin për mbrojtjen e ambientit dhe prodhimin e oksigjenit të quajtur “TE Pema”.
Ky projekt përfshin lloje të ndryshme të bimëve që e pranojnë dioksidin e karbonit dhe lirojnë oksigjen sa rreth 70 pemë të tjera. Përndryshe, ky projekt është i tëri i realizuar nga studentët e UP-së dhe është i pari në Ballkan i llojit të tij.
Kjo pemë, e cila është dizajnuar edhe si pushimore, ka të projektuar në vetvete sistemin për përkujdesje, që nënkupton se bimët për tu ushqyer me preparatet e nevojshme për mbijetesë dhe për ujitje nuk e kanë asnjë problem.
E gjithë kjo ide sipas studentëve ka ardhur pas alarmimit që kishte Komuna e Prishtinës për ndotjen e ajrit. Me anë të këtij projekti, studentët dëshironin që të tregonin aftësitë e tyre të cilat do t’i shërbenin edhe shoqërisë.
Ata falënderuan UP-në, UNICEF-in dhe Komunën e Prishtinës për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti, teksa njoftuan se do të vazhdohet me projekte të tilla edhe në vazhdimësi.