Studentja Melisa Ibrahimi shpërblehet me çmimin e parë në garën ndërkombëtare për piano në Rusi

Administrator Administrator 31 December 2020 Archived

Melisa Ibrahimi, studente në Programin Piano të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nё klasën e prof. Alberta Tronit, ka mbyllur këtë vit duke u shpërblyer me çmimin e pare në garën ndërkombëtare “International Music Competition Moscow”, në Rusi.

Për suksesin e saj, ajo falënderon në veçanti profesoreshën e saj, Alberta Tronin.
“Ishte një emocion i veçantë të zgjidhëm fituese e vendit të I-rë në garën “International Music Competition Moscow”, garë e nivelit internacional me konkurrentë nga e gjithë bota. Një vit i jashtëzakonshëm me suksese e me shumë punë së bashku me profesoreshën time Alberta Troni”, u shpreh studentja.

E lumtur për suksesin e Melisës shprehet edhe vetë profesoresha Troni, e cila tha që Melisen e presin edhe shume fitore në të ardhmen, falë talentit dhe punës së saj të palodhshme.
Melisa me talentin dhe punën e saj të palodhshme po vulos hapat në rrugën e formësimit të një pianisteje të shkëlqyer. Këtë vit është shpërblyer me çmime në garat internacionale në Beograd dhe Bonn, si dhe tani mori vendin e parë në garat në Moskë, në mesin e një konkurrence shumë të madhe botërore” theksoi profesoresha Troni.

Studentja Melisa Ibrahimi në muajin nëntor të këtij viti u shpërblye me çmimin e parë në kategorinë ‘Senior’ në garën e pianos në ‘Grand Prize Virtuoso 2020’ të mbajtur në Bonn të Gjermanisë, si dhe gjatë këtij viti ajo fitoi edhe çmimin e dyte në garat ndërkombëtare “International Music Competition”, nё Beograd, Serbi.