Studentet njoftohen me mundesite e studimit ne France

Administrator Administrator 2 November 2018 Archived

Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot, bëri hapjen e panairit “Studioni në Francë”, organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Francës në Kosovë dhe Aleancën Franceze në Prishtinë.

Në këtë panair ishin të pranishëm dhjetëra universitete dhe institucione franceze, të cilat i informuan studentët lidhur me mundësitë e studimit në Francë në programet e studimit në gjuhën frënge dhe atë angleze, në programet baçelor, master dhe doktoratë.

Hapjen e këtij panairi e përshëndeti rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema. Ai tha që UP-ja është shumë i interesuar në lidhjen e bashkëpunimit me botën frankofone dhe është duke shënuar progres në këtë drejtim.

UP-ja ka kohë që ia ka hapur dyert frankofonisë. Ne e kemi shënuar hapin e parë në këtë drejtim me hapjen e Qendrës Universitare Frankofone në kuadër të universitetit tonë, rreth një vit më parë. Që nga themelimi, QUF-ja ka organizuar disa aktivitete frankofone, nga të cilat kanë përfituar 345 studentë dhe pjesëtarë të stafit akademik të universitetit, teksa jemi anëtarësuar edhe në Agjencinë Universitare Frankofone,” tha Dema.
Ai tha që menaxhmenti i UP-së është shumë i interesuar që të krijojë bashkëpunim me institucione të edukimit të lartë, të cilat kanë për qëllim shkëmbimin e përvojave, teksa i ftoi studentët që të përfitojnë nga mundësia e dhënë për studim në Francë. Ai, po ashtu, përgëzoi stafin për realizimin e suksesshëm të këtij panairi.

Në anën tjetër, Znj. Cecile Fistberg, udhëheqëse e bashkëpunimit në Ambasadën Franceze në Kosovë, tha që ky panair i organizuar për informim studime në Francë, ka për qellim që studentëve t’iu mundësohet të jenë në kontakt me universitete, me qëllim që t’i shohin mundësitë e studimeve atje.

Edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, z. Fazli Gajraku, i ftoi studentët dhe stafin akademik që t’i shfrytëzojnë mundësitë që jep ky panair, në mënyrë që të krijojnë kontakte me institucione arsimore në Francë.

Edicioni i parë i Panairit të Edukimit “Studioni në Francë” ka për qellim prezantimin e institucioneve të edukimit të lartë nga Republika e Francës para studentëve, të diplomuarve dhe stafit akademik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për të krijuar mundësi studimi dhe shkëmbimi të eksperiencave akademike.

Në këtë panair morën pjesë:

Sciences Po

Université Lyon 1, Institut Universitaire de Technologie Lyon

Université de Caen

National Institute of Applied Sciences of Rouen (INSA)

EPITECH

Agence Universitaire de la Francophonie (AUF)

Business school of Troyes

Institut Universitaire de Technologie of Bourg en Bresse

École supérieure de la Francophonie pour l'administration et le management (ESFAM)

Mutuelle Generale Education Nationale (MGEN)

Alliance Française de Pristina

 Qendra për Zhvillim të Karrierës - UPHP;

Alumni - UPHP;

Zyra për Marrëdhënie me Jashtë në UPHP;

Biblioteka Universitare - Kombëtare e Kosovës "Pjetër Bogdani"