Studentët ndajnë copëza nga përjetimet e shkëmbimit akademik që mundëson UP-ja

Administrator Administrator 20 March 2019 Archived

Shqiponjë Kodraliu dhe Visar Hadri, të dy studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u kthyen nga Letonia me një përvojë të paharruar. Për rreth një vit sa qëndruan atje, u bënë pjesë e trajnimeve, punëtorive dhe ndoqën shumë ligjërata.

Gjithë këtë eksperiencë e fituan falë programit “Erasmus +” për shkëmbim akademik, të cilin e mundëson Universiteti i Prishtinës.

Të dy studentët u transferuan në Universitetin Teknik të Rigës në Letoni dhe për mundësinë e dhënë e falënderojnë UP-në, veçanërisht Zyrën për Marrëdhënie me Jashtë. Sipas tyre, universiteti ynë u ka mundësuar që të hapin një dritare të re të jetës së tyre.

Shqiponja thotë se udhëtimi për në Letoni ia ka ndryshuar asaj jetën.
Përvoja ime me programin ERASMUS +, mund të them lirshëm, është një ndër përvojat më të rëndësishme dhe që karrierës sime i dha komplet një drejtim ndryshe”, shprehet ajo.

Ndërsa Visarit njohja me kultura të ndryshme ndërkombëtare i ka ndihmuar shumë në perceptimin ndryshe dhe reflektimin rreth qëllimeve të tij.
‘Ndjekja e ligjëratave në një universitet të huaj gjithashtu është një përvojë për t’u vlerësuar, jo vetëm për faktin që njihesh me metoda të reja të shpjegimit por edhe me punën në grup me studentë ndërkombëtarë, e cila, sipas mendimit tim, të bën më të hapur ndaj këndvështrimeve nga më të ndryshmet”, rrëfeu ai.

Që të dy i ftojnë studentët e UP-së që të mos hezitojnë t’i shfrytëzojnë të mirat që ofron ky universitet.

Vetëm gjatë vitit 2018, mbi 200 studentë të UP-së kanë qenë pjesë e shkëmbimeve semestrale në universitetet partnere.