Studentët e UVP-së vizitojnë bukuritë e Kosovës

Administrator Administrator 10 July 2017 Archived

Studentët pjesëmarrës në edicionin e 17-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës gjatë kësaj fundjave vizituan disa nga vendet më të bukura të Kosovës.

Ky ekskursion i rreth 350 studentëve pjesëmarrës të këtij programi, filloi me vizitën e Prekazit historik, për të vazhduar drejt Prizrenit, ku itinerari i tyre përshkonte Lidhjen e Prizrenit, vend në të cilin nga shpjegimet e ciceronit vizitorët kuptuan shumë për historinë e shqiptarëve. Studentët gjatë kësaj dite patën rastin të shijonin edhe disa nga vendet më të bukura të këtij qyteti, përfshirë këtu Kalanë e Prizrenit, Urën e Gurit dhe Marashin.

Prizreni rezultoi si qytet mahnitës në sytë e studentëve vizitorë. Omer Onem, student nga Turqia, i cili përmes programit të Universitetit Veror po qëndron në Kosovë, i pyetur për përshtypjet e tij për Kosovën, u shpreh kështu: “Në Kosovë shoh shumë ngjashmëri me vendin tim, Turqinë. Vendi që më ka pëlqyer më shumë është Prizreni, që për mua është një Stamboll i vogël. Andaj, aty edhe i kam kaluar momentet më të mira”.

Studentët vizituan edhe qytetin antik të Ulpianës, ku patën fatin që për më shumë se një orë të sodisin bukuritë e këtij vendi. Më pas, ata u ndalen tek Shpella e Gadimës, duke përfunduar këtë shëtitje me Parkun e bukur të Blinajës.

Në lidhje me ekskursionin Aurel Lazar, po ashtu pjesëmarrës në UVP, tha që ekskursioni ishte i organizuar mjaft mirë. “Më kanë pëlqyer të gjitha vendet, ka diçka interesante në to. Por Prishtina me pëlqen më së shumti. Ka pasur përherë momente të bukura në këtë qytet. Nuk di ta veçoj ndonjërin, por shoqëria e mirë e bënë çdo moment të bukur” tha Lazar, student nga Rumania.

Universiteti Veror do të mbahet në UP deri me 14 korrik 2017.