Studentët e UPHP-së “me motor” drejt Spanjës

Administrator Administrator 19 April 2018 Archived

Tash një vit, një grup i studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM) të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, po përgatisin motorin për pjesëmarrje në garën ndërkombëtare “MotoStudent”, garë e cila do të mbahet këtë vit në Spanjë.

Përfaqësuesit e parë nga trevat shqiptare kanë treguar se kjo garë bëhet për arsye që njohuritë që i fitojnë studentët gjatë studimeve, t’i paraqesin në një projekt real-industrial që përfshinë ndërtimin dhe dizajnimin e një motoçiklete.

“E rëndësishme është që ne si studentë e kemi një mundësi me i shfaqë aftësitë tona të mësuara në Universitet, por që realizohet vetëm nga ne, pra pa ndihmën e profesorëve”, tregon Bujar Llugaliu student i FIM-it në UPHP dhe pjesëtar i grupit punues.

Ndërkaq, Agron Statovci, po ashtu student i FIM-it, thotë se ideja për pjesëmarrje i kishte ardhë gjatë bisedës me një bashkatdhetarë nga Zvicra.

“Fillimisht më ka treguar për garën dhe në bazë të asaj me shumë dëshirë vendosa të marr pjesë. Pikerisht, kështu u mblodh edhe grupi prej tetë personave nga FIM-i që tani punojmë bashkë.” tregon Statovci.

Studentët që në fillimet e tyre kanë hasur në mbështetje të vazhdueshme të Rektorit të UPHP-së, prof. dr. Marjan Dema. Fillimisht të financuar nga UPHP-ja, këta studentë kanë arritur që t’i kalojnë disa faza dhe kushtet e pagesave që kërkohen për regjistrimin në garë. Pavarësisht pengesave, e veçanërisht atyre financiare, kanë arritur që të mbërrijnë para tri fazave të fundit të verifikimit deri në projektin final.

“Krejt projektet munden me pas sfida, por fatmirësisht kemi gjete përkrahje prej shumë bashkëpunëtorëve, sidomos kohëve të fundit. Që nga fillimi janë kyçur dhe na ka përkrahë menaxhmenti i UPHP-së” është shprehur Uresa Mustafa, po ashtu studente e FIM-it dhe pjesë e grupit punues.

“Motostudent” është gara e cila do të realizohet nga “MotoGP” në tetor të këtij viti, në pistën “Aragon” të Spanjës. Është sezoni i 5-të që studentë nga mbarë bota marrin pjesë në një garë ku kreativiteti, puna dhe projekti i tërësishëm i tyre nga fusha e inxhinierisë, industrisë dhe motociklizmit do të vlerësohet.