Studentët e UP-së, të suksesshëm në Garën Ndërkombëtare të së Drejtës Humanitare në Slloveni

Administrator Administrator 8 December 2019 Archived

Nesa Këpuska, Adenit Hoti dhe Ilir Hajraj kanë përfaqësuar Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Garën Ndërkombëtare të së Drejtës Humanitare, e cila u mbajt nga 20 deri më 24 nëntor 2019 në Lubjanë të Sllovenisë.

Kjo garë trajtonte rastet të cilat adresojnë çështje sa i përket të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe asaj të refugjatëve, me ç’rast studentët tanë, në mesin e studentëve nga 19 universitete të Evropës, treguan sukses gjatë gjithë garës, përmes shqyrtimit profesional dhe aftësisë së argumentimit të çështjeve të diskutuara.

Përvojën e përjetuar në këtë garë, Nesa e konsideron të jashtëzakonshme.

“Përveç faktit që kemi njohur studentë nga universitete të tjera dhe kemi shkëmbyer mes vete njohuri, qoftë në fushën e drejtësisë, qoftë në aspektin kulturor të vendit tonë, kemi arritur që të mësojmë për rëndësinë që ka e drejta ndërkombëtare humanitare dhe kjo ka ngjallur interesimin për të studiuar këtë lami në të ardhmen, që edhe ka qenë një nga qëllimet e kësaj gare”, tha ajo.

Mbështetje të parezervë studentëve pjesëmarrës u ka dhënë prof. asoc. dr. Iliriana Islami, e cila u ka ndihmuar në krijimin e hapësirës për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare.

UP-ja për herë të dytë po merr pjesë në Garën Ndërkombëtare të së Drejtës Humanitare, e cila organizohet nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Lubjanës, në bashkëpunim me International Committeeof the Red Cross, United Nation High Commissioner for Refugees dhe Slovenian Red Cross.