Studentët e UP-së, të pestët në Evropë në garën për të drejtën ndërkombëtare

Administrator Administrator 26 February 2019 Archived

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë shënuar sukses, duke u renditur të pestët në garën më të vjetër dhe një prej më prestigjiozeve të drejtësisë në botë, "Philip C. Jessup International Moot Court Competition". Ky sukses paraqet renditjen më të mirë të ekipit shtetëror të Kosovës në këtë garë ndonjëherë.

Në këtë garë, e cila është mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, kanë marrë pjesë gjithsej 21 universitete evropiane, ku studentët tanë janë radhitur para ekipeve të universiteteve evropiane si Universiteti i Helsinkit, Universiteti i Lisbonës, Universiteti i Qipros, Universiteti i Luksemburgut, Universiteti Comenius i Sllovakisë, universitetet përfaqësuese të Lituanisë, Estonisë etj.

Gara e njohur me emrin “Philip C. Jessup International Law Moot Court Competition”, e cila këtë vit organizohet për herë të gjashtëdhjetë me radhë, është gara më e madhe studentore në fushën e drejtësisë, me pjesëmarrjen e mbi 680 universiteteve (fakulteteve juridike) nga më shumë se 100 shtete të ndryshme nga e tërë bota. Ky ka qenë rundi i organizuar në nivel evropian, pjesë e para-garës përfundimtare, e cila zhvillohet në Uashington D.C. Gara është e organizuar në formën e simulimit të një mosmarrëveshjeje ndërmjet shteteve para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND).

Ekipi i Universitetit të Prishtinës pritet që në fund të marsit të udhëtojë për pjesëmarrje në rundet ndërkombëtare, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Ekipi i këtij viti përbëhet nga studentët Blendar Mala, Festa Stavileci, Flaka Fazlija, Flondra Blakçori dhe Rina Mehana. Trajnerë të ekipit janë Diellza Mujaj dhe Eve-Anne Travers, ish-pjesëmarrëse në të njëjtën garë. Ndërkaq, ekipi këshillohet dhe mbikëqyret nga profesori Qerim Qerimi.