Studentët e UP-së, praktikantë në Limak, vizitojnë qytetin e Lionit në Francë
Një grup i studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët janë pjesë e Institutit Limak për Shërbime të Aeroportit, kanë vizituar qytetin e Lionit si pjesë e programit trajnues të themeluar nga kompania Limak që menaxhon me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Ata patën rastin që të njoftohen më shumë me praktikat e punës në Aeroportin e Lionit si dhe të vizitojnë terminalin e ri cili ishte në fazën e fundit të përfundimit.
Studentët në këtë vizitë u shoqëruan nga prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", prof. Dr. Teuta Pustina. “Jemi të kënaqur me bashkëpunimin e ndërsjellë me Limak Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Projektet e tilla kanë një rëndësi të veçantë në aftësimin e studentëve tanë përtej njohurive të ofruara nga Universiteti i Prishtinës” tha Pustina me rastin e kësaj vizite.
I kënaqur me projektin rezultoi edhe drejtori gjeneral i ANP “Adem Jashari”, njëherësh anëtar i bordit të Limak-ut, z. Haldun Firat Kokturk. “Këto vizita kanë një rëndësi të veçantë për studentët tanë, meqenëse ndikojnë në zgjerimin e njohurive të tyre në fushën e aviacionit dhe familjarizimin me metodat e punës në aeroporte të ndryshme”, deklaroi z. Kokturk.
Studentët patën rastin të vizitonin disa nga atraksionet më të mira turistike në qytetin e Lionit dhe atë të Anesisë. Arkitektura mahnitëse dhe pamjet pitoreske të këtyre qyteteve ishin disa nga pikat më mbresëlënëse të kësaj vizite.
Universiteti i Prishtinës dhe Limak kanë pasur çdo herë bashkëpunim të shkëlqyer. Instituti Limak për Shërbime të Aeroportit ka trajnuar dhe ofruar mundësi punësimi për 60 studentë të Universitetit të Prishtinës deri më tani, ndërkaq së fundmi edhe 30 studentë të tjerë kanë përfunduar trajnimet dhe janë duke ndjekur punën praktike në aeroport.
Vizita është suportuar nga Limak, ndërkaq përzgjedhja e studentëve është bërë në koordinim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.