Studentët e UP-së pjesë e universiteteve prestigjioze në Evropë

Administrator Administrator 4 July 2017 Archived

Shumë studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” po arrijnë të bëhen pjesë e universiteteve më prestigjioze në Evropë falë marrëveshjeve të bashkëpunimit që UP-ja ka krijuar në kuadër të programeve të ndryshme.

Në këtë vit akademik, shumë prej tyre janë kthyer, por ka edhe të tillë që ende vazhdojnë studimet për një semestër në ato universitete.

Xheraldina Gërvalla dhe Agnesa Haxhiu janë duke qëndruar në Universitetin e Karl Franzens në Graz të Austrisë, ku po ndjekin studimet në Administrim Biznesi dhe Ekonomi, dhe Sociologji.

Xheraldina dhe Agnesa janë shumë të lumtura që po përjetojnë një përvojë të re në studimet e tyre.

Për Xheraldinën, kjo eksperiencë është një ndër eksperiencat më të mira që ka përjetuar deri më tani. Ajo thotë që çdo ditë atje është një sfidë e re dhe një mësim i ri.

Duke pasur parasysh që gjendem në një qytet si Grazi dhe kam mundësi të studioj në një universitet evropian me bënë të ndihem e privilegjuar. Kjo eksperiencë po më ofron çdo ditë njohuri të reja. Përpos tjerash, takimi me studentë të nacionaliteteve të ndryshme të ndihmon shumë edhe në ndërtimin e personalitet. Me plot bindje them se jam mësuar të mendoj në mënyrë kritike për çfarëdo aspekti ekonomik. Ndjej se kam fituar gjëra pozitive gjatë kësaj eksperience, të cilat me dëshirë do t’i ndaja me vendin tim në një të ardhme shumë të afërt.”

Edhe Agenesa e vlerëson lart këtë përvojë në Universitetin e Karl Franzens. Ajo thotë:

Ky semestër këtu është shumë frytdhënës për mua që po ndjek studimet në një prej universiteteve më të mira në Evropë. Këtu sistemi i arsimit në përgjithësi është dukshëm më ndryshe prej atij në Kosovë, studimet këtu të ndihmojnë shumë të zhvillosh mendimin kritik. Meqë unë vijoj studimet master në Sociologji, këtu kam ndjekur lëndë të ndryshme të cilat nuk kam pasur mundësi t’i ndjek në programin master në UP. Kjo ka qenë ana më pozitive e studimeve, pasi që do më ndihmojë shumë në studimet e mëtutjeshme kur të kthehem në Kosovë.”

Ndërsa Belkize Gjyshinca,  Jeton Berisha dhe Liridona Berkolli janë disa nga studentët që janë kthyer pas përfundimit të një semestri studimesh në programet dhe universitetet që ata kanë zgjedhur.

Belkizia dhe Liridona kishin fatin të marrin bursë në Universitetin e Anadolu të Turqisë, njëra në degën e ekonomisë e tjetra në orientalistikë. Ato janë shumë të lumtura që kishin rastin të ndjekin studimet në këtë universitet.

Jemi me fat që kishim rastin të prekim ëndrrën dhe të shohim se si studiohet në një vend tjetër, të marrim njohuri të reja por mbi të gjitha të krijojmë kontakte me njerëz dhe kultura të ndryshme. Përvojën që kemi përjetuar atje do mundohemi ta aplikojmë në profesionet tona.”

Kurse Jetoni, ishte pjesë e Universitetit Vilnius të Lituanisë për një vit akademik. Ai gjatë studimeve atje shprehet se përfitoi shumë duke zhvilluar njohuritë e tij në fushën e Menaxhimit dhe Informatikës.

Unë fitova bursë për një semestër në kuadër të programit Erasmus+, por me angazhimin tim arrita që të fitoj vazhdimin e bursës edhe për një semestër tjetër. Gjatë qëndrimit tim në Lituani jam munduar të njoftohem me sa më shumë njerëz dhe të ju flas për Kosovën dhe sistemin e arsimit. Disa prej tyre tashmë kanë aplikuar për Universitetin Veror të UP-së.”

Të gjithë studentët u janë shumë falënderues Universiteti të Prishtinës që po u krijon mundësi të ndjekin studimet edhe jashtë vendit.

UP-ja ka krijuar marrëveshje bashkëpunimi me programe dhe universitete të ndryshme të Evropës e botës.