Studentet e UP-së, përfituese të praktikës në Universitetin “James Madison”, Itali
Egzona Behxheti dhe Albana Krasniqi, studente në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, përfituan praktikë njëmujore për asistim në organizimin e konferencës akademike në Universitetin “James Madison” (JMU) në Firencë, Itali. Këtë praktikë studentet tona e fituan falë prezantimit dinjitoz të punimeve të tyre në simpoziumin e 12-të të organizuar nga JMU, në të cilat tregohen të arriturat e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt Unionit Evropian.
Pjesëmarrja në një organizim të tillë, për Egzonën ka një rëndësi të madhe, sidomos për shkëmbimin e përvojave me studentë nga mbarë bota.
“Të qenit pjesë e këtij universiteti për një praktikë është një mundësi shumë e mirë për të treguar potencialin tonë, për të shkëmbyer përvoja me studentë nga mbarë bota, si dhe mundësi për bashkëpunim të mëtutjeshëm”, ka përfunduar ajo.
Edhe për Albanën, përfitimi i kësaj praktike është një mundësi e pakrahasueshme për ngritjen profesionale të tyre.
“Ky shkëmbim përvojash në Universitetin ‘James Madison’ ka ndikuar në ngritjen e kapacitetit tonë akademik dhe profesional, andaj shpresoj që rezultatet e kësaj eksperience personale të mund t’i ndajmë edhe me studentë tjerë nga Universiteti i Prishtinës”, ka thënë Albana.
Të dyja i falënderojnë profesorët e tyre në UP për përkrahjen e vazhdueshme.
Falë bashkëpunimit të UP-së me JMU-në, studentëve tanë u është mundësuar pjesëmarrja në aktivitetet e organizuara nga ky universitet, për dy vjet me radhë.