Studentët e UP-së më afër tregut të punës falë projekteve “E-karriera” dhe “Alumni”

Administrator Administrator 1 November 2017 Archived

Studentët dhe të diplomuarit e Universitetit e Prishtinës “Hasan Prishtina” falë projekteve teknologjike “E- karriera” dhe rrjetit “Alumni”, të cilat UP lansoi dje, do ta kenë edhe më të lehtë orientimin në karriere dhe punësim.

Këto dy projekte të cilat u realizuan me ndihmën e USAID-it, projektit partner World Learning – TLP –SP, synojnë të ndihmojnë studentët dhe të diplomuarit e UP-së që të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe të promovojnë punën e të diplomuarve.

Lansimit të këtyre projekteve iu gëzua Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili tha që sot me lansimin e këtyre projekteve po përurohet një objektivë e rëndësishme e menaxhmentit, e paraparë edhe në Planin Strategjik 2017 – 2019 të tij, nga e cila do të përfitojnë të gjithë, e më së shumti studentët.

“UP sot po shënon një hap të rëndësishëm të digjitalizimit të shërbimeve për edukim, zhvillim dhe orientim në karrierë. Përfitues të shërbimeve për karrierë do të jenë studentët dhe të diplomuarit tanë.  Andaj, jam krenar të zyrtarizoj lansimin e dy projekteve gjigande, të cilat do të jenë në funksion të studentëve dhe të diplomuarve të UP-së, si dhe gjeneratave të reja të cilat do t’i takojnë të ardhmes së institucionit tonë” tha Dema.

Ai potencoi edhe një herë përkushtimin e tij për të ndërtuar ura të suksesshme të shkëmbimit dhe komunikimit me partnerët dhe tregun e punës.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Shkëlqesia e tij, z. Greg Delawie përshëndeti lansimin e Databazës së Qendrës së Karrierës (E-karriera) dhe rrjetin “Alumni”, të cilat sipas tij do të luajnë një rol të rëndësishëm duke iu ndihmuar studentëve të gjejnë mundësi për përvoja para dhe pas diplomimit. 

“Te gjithëve na u kujtohet se sa ishte i frikshëm hapi kritik i kalimit nga siguria relative e botës akademike në botën e panjohur të zhvillimit të karrierës. Në i shohim qendrat për zhvillim në karrierë si ura të pazëvendësueshme në procesin e karrierës, sepse ofrojnë ndihmë dhe këshilla në çdo hap për studentët” tha ambasadori Delawie.
Ai shtoi që Kosova është e mbushur me të diplomuar nga çdo fushë, disiplinë dhe sektor, dhe kjo databazë do mund të vejë në funksion tërë këtë potencial.

Në këtë event të rëndësishëm të UP-së, të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, i cili tha që rëndësia e këtij projekti është e jashtëzakonshme, duke shtuar që është obligim i institucioneve arsimore që të lehtësojnë zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve.

Krejt në fund, për të pranishmit, zyrtarja e Qendrës për Zhvillim të Karrierës, znj. Elmedina Nikoçeviq-Kurti demonstroi se si këto shërbime do të funksionojnë për studentët, zyrtarët e QZhK-së, të diplomuarit dhe kompanitë që dëshirojnë të jenë pjesë e këtyre platformave.

Përmes platformës “E-karriera” studentët do të kenë mundësinë të krijojnë portfolion e tyre, nga ku do të ndërlidhen me tregun e punës, si dhe do të informohen në kohe reale me mundësi të rëndësishme për karrierën e tyre profesionale.

Ndërkaq, rrjeti i të diplomuarve “Alumni” paraqet platformën tjetër, ku të diplomuarit do të kenë mundësinë te rrjetizohen dhe të shkëmbejnë përvojat e suksesshme njeri me tjetrin. Ky rrjet do te lidh ish-studentët e UP-së përmes alumni organizimeve me tregun dhe me njëri – tjetrin.