Studentët e Gazetarisë në UP, me hulumtime e shënojnë Ditën e Lirisë së Shtypit

Administrator Administrator 3 May 2019 Archived

Studentët e vitit të tretë të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” prezantuan sot hulumtimet e tyre, të realizuara për nder të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Gazetarët e ardhshëm prezantuan gjetjet e tyre në kuadër të lëndës “Edukimi medial”, të mentoruara nga prof. asoc. dr. Lindita Aliu–Tahiri dhe asistentja MA Blerta Aliu.

Hulumtimet e studentëve kishin të bëjnë me identifikimin e stereotipave në tekstet shkollore, kulturës së popullarizuar, rrjeteve sociale dhe mesazheve të tjera masive, duke i nxjerrë në pah vlerat që i transmetojnë ato.

Për të parë stereotipat në librat shkollorë, studentet Flaka Sekiraqa dhe Fjolla Xheladini kanë analizuar librat “Abetare I”, “Matematika I” dhe “Edukimi shoqëror I”, në të cilat dominon imazhi i gruas si amvise, ndërsa burri shfaqet si i pushtetshëm dhe zakonisht punon në zyrë.

Për të treguar për stereotipat në kulturën e popullarizuar, studentet Kaltrina Bejiqi dhe Kaltrina Jashari kanë analizuar këngët e periudhave të viteve 1980 – 1990 dhe 2012 – 2019, në të cilat, sipas tyre, gruaja është portretizuar si një objekt dhe pronë e burrit, i cili është i pasur dhe i pushtetshëm. “Individi, përveç që formësohet në shkollë, edukohet edhe jashtë saj. Andaj, njëra nga këto forma të edukimit joformal është edhe muzika, e cila ndikon në jetët tona”, ka thënë Jashari.

Studentët analizuan edhe serialet e popullarizuara “Çka ka shpija” dhe “Schengenvisa”, me ç’rast identifikuan ‘vlerat’ që transmetojnë këto seriale, si për shembull “bëhu i lumtur si politikanët, ata janë të pashkollë dhe të pasur”, “ Mos puno por vetëm kënaqu”, “ nuk ka vlerë të mësosh por të blesh”, “ femrës i duhet vetëm pamja që të përparojë në jetë”, “meshkujt janë më të fuqishëm e më të mençur se femrat” e të ngjashme.

E për këtë punë të studentëve profesoresha e lëndës  u nda shumë e kënaqur.
“Më vjen mirë që kjo ditë nuk po shënohet vetëm nga shoqatat e gazetarëve por edhe nga studentët e gazetarisë, pikërisht duke e theksuar rëndësinë e zhvillimit të mendimit kritik përmes edukimit për media”, u shpreh profesoresha Aliu–Tahiri.

Të gjitha këto punime të studentëve tanë do të publikohen në blogun “dil prej ku ti je”: https://stereotipe.wordpress.com/  

3 maji në të gjithë botën shënon Ditën e Lirisë së Shtypit.