Shënohet “Dita Ndërkombëtare e Sportit Universitar”
Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si dhe Federata e Sportit Universitar të Kosovës (FSUNK), me ceremoni dhe lojëra, kanë shënuar sot “Ditën Ndërkombëtare të Sportit Universitar”.
Për të shënuar këtë ditë, FSUNK ka organizuar gara në disiplina të ndryshme, si: Futsall (Femra dhe Meshkuj) , Basketboll 3 x 3 (Femra dhe Meshkuj), Mixed Beach - Volleyball , si dhe Ping Pong (Femra dhe Meshkuj.
Pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të kësaj ngjarjeje ishte rektori, prof. dr. Marjan Dema. Ai uroi sportdashësit për këtë ditë të rëndësishme për sportin, ndërkaq, në veçanti uroi studentët e UP-së, të cilët edhe i përgëzoi për paraqitjet dinjitoze në gara ndërkombëtare.
“Sportistët, gjatë historisë sonë, ishin ata që çdo herë në bënë krenarë. Edhe mua si rektor, më bënë krenar studentët e këtij Fakulteti, të cilët në pothuajse në të gjitha garat që morën pjesë, patën përfaqësim dinjitoz, duke u ranguar në vendet e para në kompeticione të nivelit të lartë ndërkombëtar” tha nder te tjerash rektori Dema.

Në anën tjetër, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në UP, njëherësh presidenti i Federatës së Sportit Universitar të Kosovës, prof. dr. Musa Selimi, foli para të pranishmëve për rëndësinë e sportit tek studentët. Dekani Selimi foli edhe për sukseset e shumta që FSUNK ka shënuar në këto pak vite ekzistencë, me theks te veçantë, për ato të shënuara në arenën ndërkombëtare.

Ditën Ndërkombëtare të Sportit Universitar e uruan me anë të video-mesazheve edhe presidentët e dy federatave kryesore të sportit universitar: Oleg Matytsin, president i Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar, si dhe z. Adam Roczek, president i Federatës Evropiane të Sportit Universitar.
Ceremonia solemne u mbyll me fjalimet e studentëve pjesëmarrës në Kampionatin Evropian të Universiteteve në Sporte Luftarake (EUSA Combat), i cili u mbajt në Zagreb të Kroacisë në gusht të këtij viti, të cilët treguan para të pranishmëve për eksperiencën e tyre në këtë gare. Studentët, të cilët në këtë kampionat morën medalje të bronztë, rektori Dema dhe dekani Selimi i shpërblyen me mirënjohje për përfaqësim dinjitoz.
Të pranishëm në këtë event ishin edhe figura të rëndësishme të sportit nga vendi dhe rajoni. Vlen të përmendet se sot, në mbarë botën, është festuar “Dita Ndërkombëtare e Sportit Universitar” nën moton “Let’s IDUS”.