Shënohet “Dita Ndërkombëtare e Sportit Universitar”
Federata e Sportit Universitar të Kosovës shënoi “Ditën Ndërkombëtare të Sportit Universitar” me një aktivitet kulturor të mbajtur në sallën “1 tetori” në Prishtinë.
Pjesëmarrëse në këtë ngjarje ishte edhe prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Teuta Pustina. Pustina në emër të Rektorit të UP-së, prof. dr. Marjan Dema përshëndeti të gjithë të pranishmit, duke i uruar të gjithë sportdashësit për këtë ditë të rëndësishme.

Presidenti i Federatës së Sportit Universitar të Kosovës, njëherësh dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në UP, prof. dr. Musa Selimi, foli para të pranishmëve për rëndësinë e sportit, me theks të veçantë për rëndësinë e sportit tek studentët. Ai theksoi që ideja e themelimi të kësaj federate dhe e shënimit të kësaj dite është që rinia studentore të vetëdijesohet dhe të merret sa më shumë me sport.
Para të pranishmeve foli edhe Kampioni Evropian Universitar i Karatesë, studenti i Fakultetit të Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Alvin Karaqi. Ai tregoi për rrugëtimin e tij deri tek kjo medalje e artë, duke falënderuar të gjithë ata që ia mundësuan këtë eksperiencë.
Karaqi ka rrëmbyer titullin e Kampionit Universitar të Karatesë në garën e mbajtur në Coimbra të Portugalisë në korrik të 2017-tës, duke shënuar kështu histori në sportin universitar të Kosovës
Të pranishëm në këtë event ishin edhe figura të rëndësishme të sportit e politikes nga vendi dhe rajoni.
