SHËNOHET 48 VJETORI I THEMELIMIT TË UPHP-SË - REKTORI DEMA: KRENOHUNI ME UNIVERSITETIN E PRISHTINËS

Administrator Administrator 15 February 2018 Archived

Me një ceremoni solemne të mbajtur në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, u shënua 48 vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku u theksua se që nga paslufta, ky Universitet asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të mirë sesa është tani.

Në ambientin e mbushur me studentë, përfaqësues të Qeverisë dhe të misioneve diplomatike, rektorë, akademikë, partnerë të Universitetit të Prishtinës, e figura të tjera të shquara, fjalë rasti para të pranishmëve mbajtën: Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, Presidenti i Republikës së Kosovës, Shkëlqesia a tij, z. Hashim Thaçi, zëvendësministri në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arbër Geci, si dhe kryetarja e Parlamentit Studentor, znj. Arieta Bajrami.

Rektori Marjan Dema në emër të studentëve, të stafit akademik dhe administrativ, si dhe të menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” uroi 48 vjetorin e UPHP-së, duke i ftuar të gjithë që të krenohen me sukseset që janë arritur në këtë Universitet.

“Ejani, informohuni dhe krenohuni! Sepse sot, me gjithë vështirësitë e mbijetesës dhe të zhvillimit, kemi një Universitet cilësor, i cili nuk rresht se shënuari suksese!” tha Dema, i cili theksoi disa nga sukseset e shumta që UPHP ka shënuar viteve të fundit, ndër të tjerash anëtarësimin në shumë asociacione ndërkombëtare, nënshkrimin e mbi 300 marrëveshjeve të bashkëpunimit, hapjen dhe funksionalizimin e shumë qendrave e zyrave, e deri tek sukseset individuale të studentëve e stafit akademik.

“Universiteti i Prishtinës është madhështor! Të tillë e ka dëshmuar historia, e të tillë e bëjnë studentët e tij. Andaj, jo më kot çdo herë potencoi që pa ndryshimin e Universitetit të Prishtinës, nuk ka ndryshim të Kosovës”, tha Dema, duke shtuar që Universiteti i Prishtinës asnjëherë që nga paslufta nuk ka qenë në gjendje më të mirë së që është tani. Rektori Dema në fjalën e tij uroi edhe 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaçi tha që liria dhe pavarësia janë vlera të pandashme me vlerat e Universitetit të Prishtinës, teksa vlerësoi lartë kontributin e madh që ka dhënë UP-ja në shtetformim.

“Universiteti që mban emrin e Hasan Prishtinës, në periudhë gjysmë shekulli ka dhënë profesorë, studentë, akademikë, heronjë, dëshmorë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës” tha Thaçi në fjalën e tij.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit, z. Arbër Geci tha se përvjetori i Universitetit të Prishtinës është moment historik.

“Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte ngjarja më e rëndësishme në sferën e edukimit dhe arsimimit të popullit të Kosovës. Ky ishte momenti i kthesës për një të ardhme të ndritur për vendin tonë. Në këtë Universitet u kultivuan vlera të larta kombëtare”, theksoi Geci.

Ndërkaq, kryetarja e Parlamentit Studentor, znj. Arieta Bajrami ftoi të gjithë akterët që të bëjnë më shumë për Universitetin e Prishtinës, duke theksuar që studentët e UPHP-së janë krenaria e gjithë shoqërisë kosovare.

Pas fjalëve përshëndetëse, të pranishmit patën rastin të shikojnë edhe dokumentarin e historikut të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për të pasuar me pas ndarja e mirënjohjeve për profesorët dhe studentët e dalluar nga 13 njësitë akademike të UPHP-së, si dhe mirënjohjet për kontribut të veçantë.

Themelimi i Universitetit te Prishtinës ishte ngjarje historike për popullin e Kosovës, si edhe për mbarë kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970, u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe pikërisht kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.