Seminari i Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare, epiqendër e albanologjisë

Administrator Administrator 30 August 2019 Archived

Dawid Duda ka ardhur nga Polonia në Prishtinë për të marrë pjesë në edicionin e 38-të të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, falë të cilit, thotë se e ka mësuar gjuhën shqipe.

“Ajo që më pëlqen më shumë në këtë seminar është atmosfera që krijohet duke u bashkuar me shumë njerëz nga vende të ndryshme, me të cilët nuk reshtim së biseduari”, tregon Duda.

Ai është njëri ndër 100 seminaristët pjesëmarrës të këtij edicioni, të cilët vijnë nga Turqia, Serbia, Polonia, Rusia, Kroacia, Letonia dhe vende të tjera të botës, të cilët kanë ndjekur njërin nga tre nivelet e mësimit të gjuhës shqipe.

Përveç pjesëmarrësve, edhe drejtori i seminarit, prof. dr. Shkumbin Munishi, këtë edicion e konsideron të suksesshëm.

“Kemi arritur ta ruajmë kontinuitetin e ndërtuar tash e 45 vjet në kuptim të të qenit atraktiv për të gjithë ata studiues dhe studentë të huaj, që duan ta mësojnë gjuhën shqipe, të njihen me kulturën dhe traditën shqiptare, historinë dhe letërsinë, por edhe për aspektin shkencor që në vazhdimësi sjell risi në fushën e studimeve albanologjike”, ka thënë Munishi.

Edicioni i sivjetmë solli ligjërata, diskutime, sesione shkencore, kurse të gjuhës shqipe dhe pjesën kulturore me shëtitje në vendet e bukura të Kosovës dhe shfaqje tradicionale, duke bërë kështu që Prishtina të jetë nikoqire e dashamirëve të gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Me një përvojë 45-vjeçare, seminari ka fituar besimin e studiuesve, të cilët i paraqesin për herë të parë hulumtimet e tyre, duke e shndërruar seminarin në shtëpi promovimesh të albanologjisë. Si rrjedhojë e kësaj, në këtë edicion, albanologët rusë, për herë të parë, sollën hulumtimin me shqiptarët e Ukrainës, të cilët diskutuan për ringjalljen e etnicitetit te këta shqiptarë. Po ashtu,  gjatë këtij edicioni të seminarit, albanologu bullgar Georgi Geirgive ka promovuar librin e tij, i cili trajton marrëdhëniet shqiptaro-bullgare të shekullit 20.

Seminari është themeluar në vitin 1974 dhe aktualisht funksionon në kuadër të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Ky seminar, deri më sot, ka zhvilluar gjithsej 38 sesione.