Rektori viziton Fakultetin e Edukimit – u uron sukses kandidatëve

Administrator Administrator 6 October 2020 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka vizituar Fakultetin e Edukimit, gjatë procesit të mbajtjes së provimeve pranuese për studentë të rinj në këtë fakultet.

Rektori Sahiti, në këto vizita, ishte i shoqëruar nga prorektorja per mësim dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, dhe sekretari i përgjithshëm, z. Esat Kelmendi.

Sahiti u prit në takim nga dekani, prof. ass. dr. Blerim Saqipi, dhe prodekanët e këtij fakulteti, në shoqërimin e të cilëve, menaxhmenti i lartë vizitoi sallat, ku po mbahen proimet pranuese.

Sahiti u uroi kandidatëve suksese në tejkalimin me sukses të kësaj sfide të madhe të karrierës së tyre, si dhe u premtoi që më të mirët do të bëhen pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë.

Në anën tjetër, dekani Saqipi e informoi rektorin lidhur me rrjedhën e provimit pranues, ku sipas tij, gjithçka është duke shkuar sipas planifikimeve.

Sipas konkursit për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve themelore – baçelor, për vitin akademik 2020/21, procesi i provimeve pranuese ka filluar me datë 02/10/2020 dhe ka përfunduar sot, me datë 06/10/2020. Sot provimet pranuese i kanë organizuar këto fakultete: Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Fakulteti i Edukimit si dhe Fakulteti i Arteve të Bukura.