Rektori Sahiti pret në takim përfaqësuesit e organizatës ORCA

Administrator Administrator 6 November 2020 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Organizatës për Rritje të Cilësisë në Arsim (ORCA). Në këtë takim, rektori Sahiti ishte i shoqëruar nga prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, si dhe prorektori për kërkime shkencore, prof. dr. Kurtesh Sherifi.

Në fillim të takimit, rektori Sahiti i njoftoi përfaqësuesit e ORCA-së me procesin e fillimit të vitit të ri akademik në kushte pandemie, si dhe me çështjet tjera me rëndësi për studentë, por edhe për zhvillimin e UP-së në përgjithësi. Më tej, rektori vuri në pah rëndësinë e jashtëzakonshme të UP-së për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë sonë, duke nënvizuar që zhvillimi i identitetit tonë shoqëror është i lidhur ngusht me historinë e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës. Ai gjithashtu shtoi se avancimi i shoqërisë sonë deri sot s’ka qenë asgjë tjetër veçse reflektim i avancimit të Universitetit të Prishtinës, që nga momenti i themelimit, prandaj të gjitha analizat socio-kulturore dhe politike çojnë në përfundimin se mënyra e zhvillimit të shoqërisë sonë edhe në të ardhmen do të varet në masë të madhe se si do të jetë gjendja në Universitetin e Prishtinës sot.

Këtë përfundim e mbështet edhe vlerësimi se rreth 90% e të gjitha profesioneve që ushtrohen sot në Kosovë dalin nga Universiteti i Prishtinës. Prandaj, i vetëdijshëm për peshën e vet, Universiteti i Prishtinës e mirëpret interesimin e ORCA-së për avancimin e gjithanshëm të tij, për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, rritjen dhe diversifikimin e buxhetit ekzistues, si dhe përmirësimin e imazhit në shoqëri dhe qarqet politikëbërëse.

Në vijimësi të këtij takimi, rektori Sahiti i siguroi përfaqësuesit e ORCA-së dhe palët tjera të interesuara rreth zhvillimeve brenda UP-së se ky menaxhment do të jetë bashkëpunues në rritjen e mëtutjeshme të transparencës për publikun kosovar, duke vazhduar komunikimin e mirë me shoqërinë civile dhe mediat, me qëllim parësor rritjen e llogaridhënies ndaj publikut. Sahiti theksoi tutje se do të konsultojë pa detyrime kontraktuale të gjitha palët e interesuara me qëllim të gjithëpërfshirjes së publikut në proceset brenda universitetit më të madh në vend; do të angazhohet për të promovuar praktikat më të mira të proceseve akademike që lidhen me titujt akademikë dhe dhënien e mundësive për përfshirje në hulumtime dhe publikime shkencore të të gjithë stafit akademik, nëpërmjet mekanizmave tashmë ekzistues, por edhe nëpërmjet zhvillimit dhe shfrytëzimit të mekanizmave të rinj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e ORCA-së e siguruan manaxhmentin e UP-së se do të vazhdojnë të përcjellin nga afër zhvillimet brenda universitetit, si dhe do të promovojnë të gjitha arritjet pozitive të UP-së. Ata theksuan se do të ofrojnë bashkëpunim konstruktiv për çështjet që kanë të bëjnë me integritetin akademik, sikur që edhe do të vazhdojnë të adresojnë publikisht kritikat e tyre për dukuritë negative.

Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive, duke arritur në përfundimin e përbashkët që dalja nga kriza ekonomike, politike e shoqërore kalon vetëm përmes një dere - përmes derës sëUniversitetit të Prishtinës.