Rektori Sahiti pret në takim përfaqësues të shoqatës “Miqtë e Amerikës”

Administrator Administrator 20 October 2020 Archived

Në vazhdën e takimeve të zhvilluara me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, sot u vizitua nga përfaqësues të shoqatës “Miqtë e Amerikës”, të kryesuar nga z. Agim Rexhepi.

I shoqëruar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, rektori Sahiti e falënderoi kryetarin Rexhepi për vizitën që i ka bërë, teksa e informoi rreth objektivave të UP-së për avancimin e institucionit drejt misionit të tij për një universitet konkurrues rajonal dhe më gjerë.  

Në këtë takim, kryetari Rexhepi uroi rektorin Sahiti për marrjen e detyrës së re si rektor i Universitetit të Prishtinës, duke i ofruar bashkëpunimin e tij të pakursyer. Gjithashtu, Rexhepi e informoi rektorin Sahiti për aktivitetet e shoqatës “Miqtë e Amerikës”, ku ndër të tjerash u fol edhe për iniciativën më të re të kësaj shoqate - sensibilizimi i opinionit për krijimin e strategjisë nacionale 100-vjeçare.