Rektori Sahiti ngushëllon familjen Dauti

Administrator Administrator 12 December 2020 Archived

E respektuara familje Dauti,

Me pikëllim të thellë e pranuam lajmin e ndarjes nga jeta të profesorit Esad Dauti. Profesori Dauti ishte biolog dhe profesor universitar, i cili rrugëtimin në UP e filloi qysh në vitin 1974, në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, në Degën e Biologjisë, ku ka ligjëruar lëndën e Ekologjisë animale dhe lëndë të tjera. Në UP ai u shqua edhe me kontribut menaxherial, ku për një mandat ka qenë dekan i FSHMN-së, detyrë të cilën e kreu me përkushtim të madh e përulësi.

Profesor Dauti, perveç shquarsisë për punën e tij në UP, dha kontribut të pashoq edhe për vendin, duke shërbyer si deputet për vite me radhë.

Profesor Dauti ishte autor i shumë punimeve shkencore dhe gjashtë librave shkollorë.

Karriera e tij rreth pesë dekadëshe në arsim bëri që profesori të kujtohet nga studentët dhe kolegët e tij si një personalitet me karakter të lartë, si njeri korrekt e i dashur.

Për humbjen e më të dashurit tuaj, më lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të tij.

I paharruar qoftë kujtimi për profesor Dautin!

Me respekt,

Prof. dr. Naser Sahiti - rektor.