Rektori Dema viziton studentët dhe profesorët e UVP-së

Administrator Administrator 7 July 2017 Archived

11 kurse nga fusha të ndryshme akademike janë duke u ligjëruar në hapësira të ndryshme të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nga profesorë ndërkombëtarë dhe vendorë. Në këto kurse po marrin pjesë rreth 350 studentë, pjesëmarrës të edicionit të 17-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema gjatë ditës vizitoi disa nga këto kurse, duke u interesuar për atë se si po kalojnë studentët dhe profesorët pjesëmarrës në këtë program të UP-së. Ai i pyeti ata se sa janë të kënaqur me organizimin e këtij programi, për raportet me profesorët si dhe për kohën që po kalojnë në UP dhe në Kosovë në përgjithësi. Rektori Dema, po ashtu, u uroi studentëve dhe profesorëve që të kalojnë sa më mirë në UP, si dhe ta konsiderojnë këtë Universitet si shtëpinë e tyre. 
I pari i UP-së u prit po ashtu ngrohët nga studentët dhe ligjëruesit pjesëmarrës në këtë program, të cilët potencuan që janë shumë të kënaqur me kurset dhe në përgjithësi me organizimin e këtij programi. 
Profesoresha polake Magdalena Ziolo, e cila në këtë edicion të UVP-së po e ligjëron kursin “Qëndrueshmëria e sistemit bankar drejt modeleve të reja të biznesit në sektorin financiar”, tha që është duke kaluar një kohë të mrekullueshme në Universitetin e Prishtinës. Duke potencuar që raporti me studentët dhe me gjithë organizatorët është shumë i mirë, ajo falënderoi UP-në për këtë mundësi. 
Po ashtu, Shefkije Kurti, studente pjesëmarrëse në këtë program, tha që edhe pse ka pak ditë që është pjesë e UVP-së, ajo është duke kaluar shumë mire dhe i gjithë organizimi dhe programi thotë se janë të organizuar në nivel profesional. “Përgjatë kësaj kohe kemi krijuar raporte shumë të mira me studentët. Përparësi është edhe fakti se kemi studentë edhe nga vendet e tjera, gjë që na mundëson të shkëmbejmë edhe më shumë eksperiencat” u shpreh ajo. Shekfija tregoi që ka marrë pjesë edhe në edicionin e 16-të të UVP-së, ku ka kaluar një përvojë të jashtëzakonshme, e pikërisht kjo është arsyeja pse ka zgjedhë të jetë përsëri pjesë e këtij organizimi.