Rektori Dema viziton Parkun Arkeologjik “Ulpiana”

Administrator Administrator 20 July 2018 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, së bashku me prorektoren për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Merita Berisha, vizituan Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, ku po mbahet kursi “Arkeologjia e Dardanisë së Lashtë” në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Gjatë kësaj vizite, rektori Dema dhe prorektorja Berisha u njoftuan për së afërmi  me punën shtatë ditore të studentëve dhe profesorëve te UVP-së, e cila po zhvillohet në hapësirat e Parkut Arkeologjik “Ulpiana”.

Ne këtë vizitë i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Gashi. Dema falënderoi ministrin Gashi për vizitën që u ka bërë punimeve të këtij kursi, teksa potencoi që ardhja e studentëve nga vende të ndryshme të botës për të studiuar në UP për këtë periudhë gati dyjavore, po i kontribuon edhe promovimit të kulturës në vend.

Në anën tjetër, ministri Gashi vlerësoi lartë punën dhe angazhimin e Institutit Arkeologjik, arkeologëve, profesorëve të UP-së dhe të Universitetit L’Ecole Normal Superiore Paris, si dhe të studentëve të këtij kursi.

Universiteti i Prishtinës në korrik të vitit të kaluar ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi rreth programit arkeologjik francez dhe kosovar në Kosovë së bashku me MKRS-në, Universitetin L’Ecole Normal Superiore Paris dhe Ambasadën e Francës.