Rektori Dema u uron qytetarëve të besimit islam muajin e Ramazanit

Rektori Dema u uron qytetarëve të besimit islam muajin e Ramazanit

Administrator Administrator 24 April 2020 Archived

Rektori i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", prof. dr. Marjan Dema u uron të gjithë besimtarët e fesë islame fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Në këtë ditë të rëndësishme për besimtarët e këtij religjioni, për shkak të situatës së krijuar, rektori Dema u bën thirrje që të qëndrojnë në shtëpi e iftaret t'i presin aty.

Urimi i plotë:

Të dashur studentë, staf akademik dhe administrativ i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" të besimit islam,

Të dashur qytetarë mysliman,

Më lejoni që në emër të menaxhmentit dhe organeve drejtuese të Universitetit të Prishtinës, të iu uroj fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Ky muaj i Ramazanit është muaji i agjërimit, gjatë të cilit besimtarët e kanë stomakun e zbrazët e shpirtin e mbushur me paqe e dashuri. Ky muaj u kërkon besimtarëve që të adhurojnë Zotin e tyre e t'i përkushtohen atij. Andaj, më shumë se kurrë, tani keni kohë që këto t'i bëni në shtëpitë tuaja, shtëpi të cilat janë strehë e dashurisë familjare. Ashtu, siç kanë porositur institucionet fetare, po ju lus dhe unë që të qëndroni në shtëpi, që iftaret dhe syfyret t'i prisni me anëtarët e shtëpisë tuaj, sepse kështu mund ta tejkalojmë më lehtë këtë kohë pandemie.

Në këtë muaj që simbolizon sakrificë dhe fisnikëri, uroj që të gjejmë rastin e të reflektojmë për hapat që mund të ndërmarrim në të mirë të komunitetit, në veçanti, në të mirë të rinisë sonë.

Duke u lutur për më shumë tolerancë, respekt të ndërsjellë, e solidaritet në shoqërinë tonë, pranoni urimet me të sinqerta për këtë muaj.

Agjërim të lehtë e të pranuar!

Prof. Dr. Marjan Dema
Rektor