Rektori Dema priti një delegacion nga Iowa e ShBA-ve
Një delegacion nga Universiteti Drake i Iowa-s të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vizitoj sot Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”
Delegacioni i Iowa-s u prit nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema dhe bashkëpunëtorët e tij.
Delegacioni vizitor përbëhej nga: znj. Janet McMahill- dekane e Universitetit Drake, si dhe z. Matthew Hayden, znj. Annique Kiel dhe z. Jeffrey A. Kappen - profesorë të këtij Universiteti. Po ashtu, pjesë e delegacionit ishte edhe Presidenti i Des Moines Area Community College, z. Rob Denson.
I tërë takimi ishte i orientuar drejt mundësive të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dyja universiteteve.
Rektori Dema përshëndeti të pranishmit dhe iu uroi mirëseardhje në Universitetin e Prishtinës. Ai informoi delegacionin në lidhje me një historik të shkurtër të institucionit t më të madh të arsimit të lartë në vend. Ndërkaq, prorektorët e UP-së ishin ata të cilët informuan në mënyrë të detajuar lidhur me sektorët e ndryshëm të UP-së, duke paraqitur idetë e tyre konkrete për bashkëpunim.
Në anën tjetër, edhe profesorët vizitorë shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim me UP-në. Ata e vlerësuan lartë punën e këtij menaxhmenti dhe shprehën vullnetin për konkretizim të menjëhershëm të ideve për bashkëpunim në fusha të ndryshme të arsimit të lartë.
Delegacioni nga Iowa vizitoi edhe Fakultetin e Edukimit të Universiteti te Prishtinës, ku u prit nga dekani i këtij Fakulteti, Ethem Çeku dhe stafi i tij. Ndërkaq, prodekanja për çështje mësimore, Majlinda Gjelaj u kujdes që t’i informonte profesorët lidhur me këtë fakultet, me programet dhe të arriturat e tyre.