Rektori Dema prezanton UP-në në takimin e rektorëve me përfaqësues të universiteteve nga Iowa e ShBA-ve

Administrator Administrator 27 June 2017 Archived

Një delegacion amerikan i përberë nga rektorë, dekanë dhe profesorë të universiteteve Iowa-s të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (University of Iowa, The University of Northern Iowa, Des Moines Area Community College (DMACC), si dhe Drake University) po qëndron për vizitë në Kosovë.

Si rrjedhojë, në Ministrinë e Arsimit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës është mbajtur një takim i përbashkët i këtij delegacioni me përfaqësues të universiteteve publike dhe private të vendit tonë.

Në këtë takim pjesëmarrës ishte edhe Rektori i Universitetit më të madh në vend, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema. Rektori Dema bëri një prezantim të shkurtër të misionit të këtij institucioni. Ai tha që arritjet e Universitetit të Prishtinës bazohen në: dijen, të vërtetën, barazinë, tolerancën, krijimin e marrëdhënieve shoqërore, sinqeritetin dhe mendimin kritik.

Rektori Dema shtoi që disa nga fushat në të cilat UP-ja po punon lidhen kryesisht me rekrutimin e stafit të ri, ngritjen e kapaciteteve të kërkimit shkencor, organizimin e debateve dhe ligjëratave në të gjitha njësitë akademike të tij, e sigurisht edhe në rritjen e mobiliteteve të studenteve dhe stafit, si dhe në nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me universitete të tjera kryesisht ndërkombëtare.

Takimi vijoi me prezantime nga përfaqësuesit e universiteteve dhe kolegjeve të tjera vendore, si dhe me komente e diskutime për mundësitë e bashkëpunimit me universitetet nga Iowa.