Rektori Dema po qëndron për vizitë studimore në Zvicër, si pjesë e delegacionit të arsimit të lartë të Kosovës
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema po qëndron për vizitë studimore në Zvicër, si pjesë e delegacionit të arsimit të lartë të Kosovës.
Dema po merr pjesë në diskutimet e organizuara gjatë kësaj vizite studimore me temë “Forcimi i integritetit dhe luftimi i korrupsionit në arsimin e lartë”.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni i arsimit të lartë do të diskutojë tema të ndryshme që lidhen me integritetin në arsim, duke marrë si shembull praktikat në Universitetin e Gjenevës. Programi i vizitës përfshinë edhe diskutime lidhur me masat për promovim të etikës dhe integritetit në arsimin e lartë, sfidat e integritetit akademik, sfidat e integritetit dhe etikës në hulumtime shkencore, e të tjera çështje që lidhen drejtpërdrejtë me integritetin dhe luftimin e korrupsionit në sferën e arsimit të lartë.
Kjo vizitë studimore është financuar nga Bashkimi Evropian dhe është implementuar nga Këshilli i Evropës, ndërkaq është organizuar në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar për Planifikim Arsimor (IIEP) të UNESCO-s.