Rektori Dema përshëndet punimet e konferencës së matematikës rreth formave automorfe dhe funksioneve L

Administrator Administrator 3 July 2017 Archived

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka filluar punimet konferenca e matematikës me temë “Drejtime të reja në format automorfe dhe funksionet L”.

Në hapjen e kësaj konference mori pjesë Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema.

“Duke qenë vetë matematikan, nuk kam si të mos e vlerësoj lartë rëndësinë e kësaj konference lidhur me fushën e formave automorfe dhe funksioneve L. Ashtu siç ka thënë matematikani Paul Halmos: “Ka vetëm një mënyre për ta mësuar matematikën – duke bërë matematikë”. Dhe nga ajo që jam informuar lidhur me këtë konferencë, besoj fuqishëm që këtu “do të bëhet vërtetë matematikë”, tha Rektori Dema.

Për rëndësinë e kësaj konference folën edhe Ambasadori i Francës në Kosovë, z. Didier Chabert. Ambasadori vlerësoi lartë përmbajtjen e kësaj konference, si dhe i përshëndeti në veçanti organizatorët e saj.

Punimet e konferencës i përshëndeti edhe kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, profesor Muhib Lohaj.

Konferenca “Drejtime të reja në format automorfe dhe funksionet L” u organizua nga profesorin Qendrim Gashin, njëherësh ambasador i Republikës së Kosovës në Francë, në bashkëpunim me profesorët ndërkombëtar: Harald Grobner dhe Alberto Minguez.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë rreth 30 matematikanë nga vende të ndryshme të botës, si: ShBA-të, Franca, Gjermania, Austria, Japonia, India, e të tjera. Konferenca e cila filloi punimet sot, do të zgjat deri me 7 korrik 2017.