Rektori Dema përshëndet punimet e konferencës “Roli i arsimit të lartë në shoqëritë demokratike”
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema përshëndeti punimet e konferencës regjionale “Roli i arsimit të lartë në shoqëritë demokratike”. Në fjalën e tij, Rektori Dema tregoi për ndryshimet që Universiteti i Prishtinës, duke u bazuar në Planin Strategjik të tij është duke i bërë.
“Arsimimi nuk pretendon të jetë zgjidhje për të gjitha problemet me të cilat përballët një shoqëri, por pa të, çdo zgjidhje është pothuajse e pamundur. Andaj, jo më kot thuhet që investimi në arsim është investimi më i mirë, rezultati nga i cili s’do të mungoj të shfaqet asnjëherë. Andaj, një konferencë e tillë konsideroj që do të vejë në pah një aspekt tjetër tejet të rëndësishëm të arsimit, aspekt jetik për t’u diskutuar në shoqërinë tonë tranzicionale, e cila po ec me hapa të sigurt në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit demokratik” tha ndër të tjera Dema.
Në anën tjetër, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami theksoi rëndësinë e arsimit të lartë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në demokratizimin e shoqërisë, ndërsa tha se Kosova duhet të ketë prioritet arsimin edhe më tutje, në mënyrë që të krijojë kuadro me shkathtësi dhe kompetenca.
Punimet e konferencës i përshëndeti edhe rektori i James Madison University, z. Jonathan R. Alger. Ai theksoi se Kosova ka mundësi të shkëlqyeshme që të fokusohet në shfrytëzimin e potencialit që ka, duke qenë se ka një popullsi të re.
Në këtë konferencë u fol për rolin e arsimit të lartë në transformimet sociale dhe politike, në veçanti në shoqëritë në tranzicion.