Rektori Dema ngushëllon familjen Ajazaj

Administrator Administrator 22 September 2020 Archived

E respektuara familje Ajazaj,

Me pikëllim të thellë e pranuam lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Hamdi Ajazaj.

Ajazaj ishte fizikan dhe profesor universitar, i cili rrugëtimin në UP e filloi si student në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore në vitin 1970. Ndërkaq, si asistent, iu bashkua FSHMN-së në vitin 1973, për t’u avancuar më pas si mësimdhënës i lëndëve Mekanika kuantike dhe Fizika statistike me termodinamikë në departamentin e Fizikës të FSHMN-së. Viteve të fundit kontributin si mësimdhënës e dha në Fakultetin e Edukimit, ku për një mandat kreu detyrën e prodekanit për mësim.

Profesor Hamdi Ajazaj ishte autor i shumë punimeve shkencore, librave universitarë dhe shkollorë.

Nga kolegët dhe studentët e tij, ai u karakterizua si personalitet me profil të lartë akademik, i afërt me studentët, i palodhshëm dhe sfidues.

Andaj, më lejoni që në emër të organeve drejtuese dhe menaxhuese, studentëve, stafit akademik dhe administrativ të UP-së, t’iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe studentëve të tij, për humbjen e më të dashurit tuaj.

I paharruar qoftë kujtimi për profesor Ajazajn!

Me respekt,
Prof. dr. Marjan Dema - rektor