Rektori Dema mori pjesë në konferencën “Gjithëpërfshirja në arsim për të gjithë fëmijët”
Në hapësirat e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur konferenca njëditore “Gjithëpërfshirja në arsim për të gjithë fëmijët”.
I pari i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema theksoi se arsimi është e drejtë e secilit individ dhe institucionet publike duhet t’u sigurojnë të gjithëve mundësi të barabarta për shkollim.
“Edhe UP-ja përballet me vështirësi në këtë drejtim, kryesisht në krijimin e kushteve të duhura për studentët me nevoja të veçanta. Por, ne jemi në proces të identifikimit të nevojave reale të grupeve të studentëve qe i takojnë kategorive të margjinalizuara, dhe kemi pasur shume takime, madje periodikisht, me përfaqësues të këtyre grupeve, me të cilët i kemi diskutuar nga afër hapat e mëtutjeshëm që do të bëjmë, të cilat kryesisht janë nevoja infrastrukturore”, tha Dema.
Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Shyqiri Bytyqi, foli për sfidat dhe rëndësinë e edukimit e arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, si kategoria më e ndjeshme e shoqërisë sonë.
Në këtë konferencë morrën pjesë edhe z. Murat Sahin, udhëheqës i UNICEF-it në Kosovë dhe kryetari i Forumit kosovar për persona me aftësi të kufizuara, z. Bujar Kadriu.